Opozita është e qartë në aksionin e saj! Pas më shumë se 2 seancash kaotike në Kuvend, demokratët, grupimi i Sali Berishës janë të vendosur se në momentin që mazhoranca do të lejojë ngritjen e 3 Komisioneve Hetimore dhe riformatimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, atëherë do të rikthehen në Kuvend dhe do të lejojnë punimet e saj normalisht.

Ka qenë vetë deputeti demokrat, Lefter Gështenja i cili në një intervistë në Ditarin e orën 19:00 me gazetare Bruna Çifligu tha se nëse do të ketë reflektim nga mazhoranca për këto 2 pika, atëherë opozita do të rikthehet në Kuvend.

“Nëse nesër PS, mazhoranca merr vendim, i hap dritën jeshile 3 Komisioneve Hetimore dhe riformatim të komisionit të Reformës Zgjedhore, opozita do të ulet në parlament, mjafton t’i hap dritën jeshile Komisioneve hetimore…çfarë duhet të bëjmë ne ndryshe, t’i nënshtrohemi kësaj mazhorance? Sigurisht që jo, çfarë vlerë do të kishte votomi pro ose kundër, për sa kohë kur kjo mazhorancë nuk të ka në llogaritë e saj?”, tha Gështenja.

Deputeti demokrat, Lefter Gështenja ka bërë me dije se grupimi i Lulzim Bashës, do duhet të ishin bashkë me palën tjetër në aksionin opozitar të ndërmarrë së fundmi. Prezenca e tyre në komisione, në një kohë kur grupi Berisha-Bardhi po i bojkoton, për Gështenjën është rruga e gabuar.

“Do doja që opozita në këtë aksion të ishte e bashkuar, qoftë Çollaku apo kolegë të tjerë që sot janë të Bashës, janë firmëtar të këtyre Komisioneve, kanë firmosur për këto Komisione, do doja që të jenë në një krah me opozitën, në momentin që rreshtohen në krah tjetër nuk i shërbejnë opozitës. Nëse do vazhdohet kështu, nëse shkojmë të ndarë në 2025 i kemi lënë fitoren në tryezë Ramës”, u shpreh demokrati.

Aksionin opozitar të nisur nga opozita, për Lefter Gështenjën, nuk ka asnjë lidhje me thirrjen në SPAK të Sali Berishës.

“Nuk i lidh me njëra tjetrën sepse puna për konsolidimin e opozitës ka nisur në korrik-gusht”, shtoi ai.

Ndonëse është krah grupimit të Sali Berishës, Gështenja tregon se pavarësisht kësaj, ai nuk e njeh ish-kryeministrin si kryetar të PD. Ai thotë se është në pritje të vendimit të gjykatës se kush drejton partinë më të madhe opozitare në Shqipëri.

“Jemi në gjykatë, presim vendimin e Gjykatës, nuk kemi një kryetar legjitim, i vetmi institucion legjitim është grupi i PD. Nuk i merr vendimet Berisha, propozon, diskuton dhe vendimi i merr grupi i PD”, u shpreh.

Nga ana tjetër, ai ka komentuar edhe sherrin në Kuvend, mes 2 demokratëve, Dash Sulës dhe Kreshnik Çollakut. Gështenja e ka quajtur një konflikt të panevojshëm, por tha se prezenca e Çollakut plotësonte kuorumin për të mbajtur mbledhjen. Prandaj, deputeti këtë e sheh si të pa drejtë në një kohë kur opozita ka nisur një aksion opozitar, për të drejtat e tyre.

“Një konflikt i panevojshëm, nisi me prezencën e Çollakut, pati një reagim nga Sula, sepse prezenca e tij bënte kuorumin, se PS nuk kishte kuorum deri në ato momente, ardhja e tij bëri që të niste mbledhja dhe ne kërkuam që ky Komision që të mos zhvillonte mbledhje në vijim të reagimit që ne kemi si opozitë përballë vendimit që kjo mazhorancë ka marrë kundrejt kësaj opozite”, përfundoi Gështenja në A2 CNN.

Nëse mazhoranca nuk do të reflektojë, Gështenja ka paralajmëruar për skenarët që do të vënë në zbatim. “Nëse mazhoranca nuk reagon, i bindur dhe i sigurt që jo vetëm seanca parlamentare, por as komisionet nuk do të funksionojnë”, e mbylli Gështenja në A2 CNN.