Nga Jakin Marena
Vendimet e drejtësisë nuk diskutohen, e sido që të jenë ato pranohen, sidomos nga ata që nuk janë subjekt direkt i saj. Nëse të prekin drejtëpërdrejt ato ankimohen në nivelet më të larta të saj. Por kjo nuk do të thotë se këto vendime të mos komentohen, pasi drejtësia nuk është një pushtet absolut, i pakomentueshëm. Nuk është thjeshtë detyrim-përcaktim, që të mos mundësh të japësh një opinion në lidhje me një vendim apo me shumë vendime të marra nga ana e saj. Dhe dhënia e një opinioni qoftë dhe kritik, për shumëkënd të paktën, nuk përbën asesi mungesë besimi apo mbështetjeje për drejtësinë e re, në rastin konkret Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme. Të të gjitha niveleve.
Përkundrazi, është një angazhim, modest mund të themi, që kjo drejtësi të jetë në atë nivel që e kërkojnë shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për të rikthyer besimin se kjo drejtësi më në fund bën drejtësi në këtë vend, ku asnjëherë nuk është bërë drejtësi. Por ngjarjet më të fundit, treguan se drejtësia e re ka nevojë për hapa të tjerë seriozë, me vepra konkrete dhe aktorë të palëkundur, që të shkojë drejt asaj që kërkojnë të gjithë, drejt një drejtësie e konsoliduar që njeh vetëm një standard, ligjin dhe Kushtetutën e këtij vendi.
Eshtë investuar shumë për drejtësinë e re, nga shqiptarët e partnerët tanë ndërkombëtarë, janë më të trajnuarit e më të trajtuarit financiarisht, ndaj dhe pritshmëritë janë shumë më të mëdha ndaj saj. Si për të dhënë drejtësi, por dhe për të dhënë një ‘dorë’ për integrimin e Shqipërisë në BE. Eshtë kusht.
Rasti më i fundit, ai i vendimit për nxjerrjen nga qelia të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish kryeministrir Sali Berisha, na habiti shumë. Pasi ai ishte me masë sigurie arrest me burg si i akuzuar për pastrim parash, përmes aferës së privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani”, në të cilën ai ka ndërtuar kompleksin prej 19 kullash shumëkatëshe. Kjo ka qënë një dhuratë e vjehrrit të tij kryeministër në atë kohë, Berisha, ‘dhuratë’ vërtetë e vyer ku nga një copë tokë-truall 113 metra katrorë dhe pa asnjë investim, ia doli që të përfitonte një shumë prej 5.4 milionë eurosh.
Dhe vjehrri Berisha është nën akuzë, me masë sigurise ‘detyrim paraqitje’ në gjykatë dy herë në muaj, për ‘korrupsion pasiv’. Jo se ai e ka respektuar ndonjëherë këtë vendim të gjykatës. Asnjëherë, madje nuk ka marrë në ‘dorëzim’ as njoftimin për masën e sigurisë, ku me shumë gjasa refuzimi mund t’i përkthehet me një masë më të ashpër, arrest në shtëpi ose në qeli. Ka bërë dhe sherre që nga bllokimi i punimeve të Kuvendit dhe komisioneve parlamentare, e deri tek thyerja e karrigeve, shkulja e mirofonëve, marrja e kartave të deputetëve dhe vënia e flakës tavolinave. Pa përjashtuar këtu tymin në sallë si dhe hyrjen nga dritarja e Kuvendit apo kalimi mbi kangjellat i deputetëve të “Foltores”.
Por të gjithë janë surprizuar nga vendimi i gjyqtares së Apelit Iliriana Olldashi për ndryshimin e masës së sigurisë për Jamarbër Malltezin, nga arresti me burg në arrest shtëpie. Nuk po vihemi kundër këtij vendimi të gjyqtares së Apelit. Madje Abi më mirë të jetë me arrest në shtëpi, pasi nuk i bëhet barrë dhe më tej buxhetit të shtetit, për ushqime, akomodim dhe fjetje. Pra harxhet i heq vetë, se mjaft i ka rënduar këtij shteti, duke shfrytëzuar vjehrrin kryeministër. Sepse dyshohet se nuk ka vetëm ato 5.4 milionë euro ai, ka dhe pasuri të tjera vërdallë, të patundshme dhe të tundshme.
Madje liron dhe një vend në paraburgim Jamarbri, ndoshta për të arrestuarit e 21 janarit 2011, ku pas vendimit të gjykatës së Strasburgut, gjithçka është e qartë. Duhet të paguajnë urdhëdhënësit e vrasjes së 4 demonstruesve përballë kryeministrisë nga Garda e Republikës, dhe një ndër ta, ai më i madhi fare është vetë vjehrri, Sali Berisha kryeministër në atë kohë.
Që të kthehemi tek Apeli, gjyqtarja i la gojëhapur të gjithë me vendimin që mori për ndryshimin e masës së sigurisë për dhëndrin e Berishës, e dërgimin për të kaluar festat e fundvitit në shtëpi. E themi se i habiti të gjithë pasi akuza për të cilën po përgjigjet Malltezi, nëse vendos gjykata se ka prova dhe fakte për pastrim parash, i jep plot 10 vite burg sipas ligjit. Dhe arresti për të ishte brenda kornizës ligjore. E dyta, janë dhe të tjerë në burg, për të cilët gjykata e Apelit ka dhënë vendim për t’u hetuar nga qelia me argumentin prishin provat. Ky vendim është dhënë nga Gjykata dhe Apeli. Në qeli janë, duke filluar me ish kreun e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, për një leje të vonuar në zbardhje të para 13 viteve. Por dhe ish kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici po ashtu është në paraburgim, si dhe një sërë ish zyrtarësh të tjerë.
Pa përjashtuar faktin se kjo gjyqtare, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për evazion fiskal për të ndjerin Enver Sheshi, i cili nuk doli gjallë nga burgu. Pavarësisht dokumenteve zyrtare që vertetonin gjënjen e rënduar shëndetësore të tij. Apo ish kryebashkiakun Lefter Alla, pavarësisht se 6 ekspertë kanë konstatuar gjendjen e rëndë shëndetësore të tij, mbahet në burg. Dhe të gjithë këta që përmendëm kanë qënë dhe janë nën arrest me akuzën ‘shpërdorim detyre’, shumë më e lehtë se e pastrimit të parave, akuzë e cila rëndon mbi Jamarbër Malltezin.
Masa arrest me burg është dhënë për ta, me frikën se mos arratisen apo prishin provat. Të paktën këta të dy nuk ikin se kanë bizneset e tyre në Shqipëri. Dako e Gjici i kanë hyrë politikës pasi janë bërë biznesmenë, s’janë bërë biznesmene pasi kanë hyrë në politikë apo pasi janë ngritur në detyrë të afërmit e tyre për të siguruar privilegje. Letrat që kanë për Dakon janë në SPAK, as prishen as rregullohen, as tjetërsohen. Po ashtu dhe Alma, që është prova që e shkatërroi Safet Gjicin politikisht dhe familjarisht, aty është nuk besojmë se do të lëvizë. As ‘prova’ e saj s’ikën
Gjyqtarja e Apelit dhe për standardin e njëjtë të vendimeve, nuk duhej të bënte atë që nuk është bërë që në krye të herës nga drejtësia e re në këto raste, të ndryshonte masën e sigurisë së dhënë nga Gjykata. Dy rrugë kishte, ose të ndryshonte masën e sigurisë për Malltezin dhe ta kalonte në arrest shtëpiak sikurse ndodhi, dhe të kërkohej nxjerrja nga qelia për në arrest shtëpie e ish zyrtarëve të tjerë me akuza më të lehta, osa ta linte në burg Malltezin. Zgjodhi variantin më të vështirë e të pandodhur me këtë drejtësi, e nxori nga qelia dhëndrin. Shumëkush mund të thotë se gjyqtarja e hëngri presionin e Berishës, i cili ditë për ditë dilte në media dhe sulmonte prokurorët dhe gjyqtarët specialë për “Partizanin”. Bënte si inxhinier dhe pronar i kompleksit të kullave të ndërtuara nga dhëndri i tij në këtë truall të përfituar për shkak të kësaj afere, duke sulmuar kë t’i binte në mendje dhe që kishte lidhje me hetimin e gjykimit të tij dhe dhëndrit. Emrin e gjyqtares në fjalë, për hir të së vërtetës nuk e kemi dëgjuar të përmendej nga goja e Berishës. Jo më të akuzohej.
Për hir të së vërtetës të gjithë janë në bindur se Berisha nuk po mbronte dhëndrin, por veten. Për shkak se akuza ndaj tij është akoma më e rëndë, korrupsion pasiv në favor të familjarëve të tij. E njëjtë me atë që ka fiksuar DASH në ‘motivacionin’ e shpalljes ‘non grata’. Madje nuk kanë munguar zërat se Berisha e ‘shiti’ dhëndrin, pavarësisht se bënte si triumfator pas kalimit të tij me vendim të gjyqtares së Apelit nga qelia në arrest shtëpie. Kemi qënë të bindur se gjyqtarja s’ka vendosur në mënyrë ‘parciale’ për Malltezin, ndryshe sa ka vendosur për zyrtarët që i ka lënë në qeli më parë, sepse është trembur thjeshtë dhe vetëm nga presioni dhe kërcënimet e Berishës. Pasi Berisha deri te kërcënimet e ka ‘hapin’. Ndërsa mbështetja amerikane dhe e BE është e vazhdueshme për prokurorët dhe gjyqtarët e Posaçëm. Berisha s’ka fuqi kundër tyre.
Publikimi një natë më parë nga Report TV i dokumentit që ka sjellë ‘zbutjen’ e gjyqtares së Apelit dhe të vendosë nxjerrjen e Jamarbër Malltezit nga burgu, e tregoi qartë se cili ka qënë ndikimi më i fortë në këtë vendim. Ka qënë dhe diçka më njerëzore, që kurresesi nuk mund të sjellë që një gjyqtare e përzgjedhur në radhët e drejësisë së re, e mirëpaguar, e mirëtrajnuar dhe e betuar për të bërë drejtësi e vetëm drejtësi, të bjerë në nivelin e një njeriu të thjeshtë. Jo se ka bërë ndonjë krim, por ka vepruar me dy standarde për të njejtën kategori të akuzuarisht. Nuk gjykojmë vendimin, por faktin se çfarë ndikoi në këtë vendim. Gjyqtarja në fjalë, sipas dokumentit ka blerë një shtëpi 92 metra katrorë tek kompleksi i kullave të Malltezit të ndërtuar tek ish kompleksi “Partizani”, privatizimi i të cilit është nën hetim që para disa viteve. Pra është në konflikt të hapur interesi, sepse gjykoi dhe dha vendim një individ të akuzuar për këtë aferë, ndërkohë që nga kompania e këtij individi në të njejtin vend për të cilin akuzohet, ka blerë një apartament.
Nuk e akuzojmë se e ka blerë një çikë lirë sipërfaqen e banimit, 712 euro për metër katrorë nuk e gjen as në Kamzë, Vorë apo dhe më tej, pasi ndoshta ka bërë pazar të mirë. Por e ka për detyrë që të deklaronte se ka konflikt interesi dhe ta merrte dikush tjetër vendimin për masën e sigurisë. Dhe sikur të kishte marrë të njejtin vendim si kjo gjyqtare, s’do paragjykohej vendimi. Se nuk është krim apo bllokon hetimin dhe gjykimin, pasi hetimi vazhdon, letrat janë aty dhe kur të vijë puna gjykata do vendosë në bazë të provave e fakteve, shkresore e përmes dëshmive të ortakëve dhe të tjerëve që kanë lidhje me këtë çështje.
Dikush i jep dhe të drejtë gjyqtares se mori vendim më shumë se sa për Malltezin, e mori për veten. Sepse kullat janë nën sekuestro, e për pasojë dhe apartamenti i gjyqtares është nën sekuestro. Dhe hajde e bjeri pas pasurisë tënde pastaj nëpër të gjitha shkallët e gjyqësorit. Por në sistemin e drejtësisë së re janë përzgjedhur, kështu na pëlqen të besojmë dhe e besojmë në fakt, prokurorët e gjyqtarët më me integritet dhe të përgjegjshëm për të dhënë më në fund drejtësi në këtë vend.
Dhe kur një gjyqtare Apeli nuk bën me dije se ka konflikt interesi për një çështje, aq më tepër shumë sensible për tërë vendin, duhet të pranojmë se shqiptarët e quajnë të bërë drejtësinë e re vetëm atëherë kur të shikojnë në qeli Berishën, familjarët dhe ortakët e tij që kanë abuzuar me pushtetin, pra kur nuk deklaron konfliktin e interesit dhe për më tepër kur merr një vendim aspak të aplikuar nga Apeli deri më tani për raste afërsisht të ngjashme, atëherë te shqiptarët por dhe tek partnerët ndërkombëtarë tronditet besimi. “Kërcet’ vendimi për nxjerrjen e Abit nga qelia.
Jo se është i parikuperueshëm ky vendim, pasi SPAK e ankimoi në gjykatën e Lartë e situata me Malltezin mund të rikthehet sërish në gjendjen e mëparshme, Abi në qeli, por kemi frikë se besimi u trondit nga vendimi i kësaj gjyqtareje. Duke treguar se në radhët e drejtësisë ende kanë mbetur probleme të së kaluarës, ku pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë dhe të afërmëve të tyre ishte ngritur në sistem. Dhe krijon idenë se mund të bësh afera me përfitime miliona euroshe e s’ndëshkohesh, hetohesh i lirë. Madje mund të shpëtosh dhe me procedurë, sidomos nga krahu i Berishës, pasi ish zyrtarëve të lartë të PS, Apeli nuk ua ka falur ‘sekondin’. Në qeli të gjithë.
Për vetëm 92 metra katrorë apartament të gjyqtares së Apelit mund të ndodhë një ‘lëkundje’ e tillë besimi te drejtësia e re. Shpresojmë të rikuperohet dhe të mos ndryshojë përceptimin e shqiptarëve dhe e partnerëve ndërkombëtarë për drejtësinë e re. Urojmë që të mos ndodhë, kemi besim se s’do ndodhë, pasi radha e politikanëve te drejtësia është shumë e gjatë. Dhe shpresojmë që dënimet e forta për ata që shpallen fajtorë të shoqërohen edhe me rikthimin e parave të marra padrejtësisht nga arka e shtetit shqiptar. Aty ku e kanë vendin, në arkën e shtetit dhe në shërbim të qytetarëve.