Moldavia është në garë për t’u kualifikuar në Euro 2024 dhe ndaj Shqipërisë të premten në shtëpi kërkohet një rezultat pozitiv. Natyrisht, kuqezinjtë nuk janë rivali më i lehtë i mundshëm për t’u përballur, por për moldavët mbetet një test force. Para sfidës, foli lojtari i Moldavisë, Vadim Rata.

“Ne jemi në pritje të tifozëve tanë në këtë ndeshje, sepse në ndeshjen tonë të parë me Shqipërinë, besoj se tifozët e tyre ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar. Falë tifozëve të tyre, ata më vonë mundën Poloninë dhe Republikën Çeke në fushën e tyre. Kështu që për ndeshjen e nesërme do të jetë shumë e rëndësishme për ne që të kemi lojtarin tonë të 12-të me vete. Kjo është e gjitha, ejani në stadium dhe bëni tifo për ne.

– A është ndeshja e nesërme me Shqipërinë më e rëndësishmja për ju? Duke marrë parasysh se çfarë mund të na sjellë fitorja.

Po, nëse e shikoni në këtë mënyrë, kjo ndeshje është shumë e rëndësishme. Por, unë nuk dua ta mbështes këtë presion mbi ekipin, duke përfshirë nga ju dhe nga shumë njerëz në vend. Unë i kuptoj, sepse nuk kemi pasur një mundësi të tillë në histori. Por, ne duam vetëm të dalim në fushë, të japim maksimumin, të tregojmë lojën tonë dhe të fitojmë të gjitha betejat. Shpresojmë të arrijmë një rezultat të mirë. Shqipëria duket se është kundërshtari më i fortë në grupin tonë, e kemi ndjerë tashmë në fushë. Gjithçka që kërkohet nga ne është të dalim në fushë dhe të tregojmë se çfarë jemi të aftë. Pas kësaj do të shohim se ku do të përfundojmë.

– Ky presion që përmendët, e pengon ekipin?

Po, ky është thjesht presion futbolli. Kjo ndodh kur mendoni shumë për rezultatin dhe çfarë mund të dalë prej tij në fund. Nëse mendoni shumë për shanset për t’u kualifikuar, atëherë në fund gjithçka mund të dalë krejt e kundërta. Si rregull, një person nën presion nuk tregon rezultatet e tij më të mira kur bëhet fjalë për futbollin.

– Nëse nesër lind nevoja papritur për të ekzekutuar një penallti, do ta merrni përsipër, duke pasur parasysh eksperiencën tuaj të fundit në Voluntar?

Unë do t’ju përgjigjem kështu: Dashtë Zoti, do të kemi një nevojë të tillë. Ne kemi shumë djem në ekipin tonë që janë gjuajtës të mirë të penalltive. Personalisht, nuk futem as në këtë listë që trajneri na bën para ndeshjes. Janë edhe dy-tre interpretues të tjerë përpara meje në listë, kështu që është mirë (buzëqesh).