Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi thotë se në parlament nuk do të zhvillohen më seanca normale, për sa kohë, që sipas tij, mazhoranca nuk do të respektojë të drejtat e opozitës, lidhur me kërkesën për krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. Në një intervistë për ABC News, Baçi u shpreh se aksion i opozitës është reagim ndaj veprimeve të mazhorancës dhe shtoi nuk do të ketë kthim mbrapsht. “Absolutisht, në plan të parë, nuk vëmë interesat personale, nuk vëmë kërkesën hetimore parlamentare dhe kemi lënë mënjëanë, por kemi vënë në plan të parë interesat e qytetarëve. Interesat e qytetarëve janë ato që në fakt vë opozita, që është e votuar nga qytetarët dhe është opozita ajo që shpreh pakënaqësinë e qytetarëve, pakënaqësinë jo vetëm të demokratëve, votues të opozitës, por edhe atyre qytetarëve të thjeshtë, të ndershëm, qoftë edhe socialistë të ndershëm, të zhgënjyer, që nuk u plotësohen kërkesat e tyre gjatë qeverisjes së kësaj mazhorance.

Më duhet të them që opozita nuk po bën bllokim parlamenti. Nuk kanë për t’u zhvilluar seanca normale, dhe në vazhdimësi ky është një aksion i opozitës, i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm, nuk ka kthim mbrapsht, boll më me lojërat e Edi Ramës dhe mazhorancës. Arsyen pse, a e dini? Ka një arsye shumë të thjeshtë. PD nuk kërkon privilegje nga mazhoranca, nuk kërkon absolutisht mëshirë nga mazhoranca, nuk bëjmë grindavecin për të tërhequr vëmendjen dhe as për të krijuar lajm. Nëse mazhoranca nuk do ta provokonte opozitën, nëse mazhoranca do të zbatonte rregulloren e parlamentit, do t’i krijonte hapësirat e duhura opozitës dhe nuk do të shkelte të drejtat e saj, atëherë do të kishte zhvillime normale të seancave parlamentare.

Opozita ka bërë 8 kërkesa për ngritjen e 8 komisioneve hetimore parlamentare. Kërkesat për komisionin hetimor parlamentar, janë kërkesa që ne i jep të drejtën kushtetuta dhe nëse firmoset nga numri i duhur i deputetëve, atëherë mazhoranca është e detyruar ta ngrejë komisionin hetimor parlamentar dhe jo ta hedhë në votë, nuk ia jep të drejtë kushtetuta, nuk e ka me ligj, nuk e ka me rregullore dhe ky është paradoksi më i madh. Këtu ka një detyrim përcaktim, kërkesa që ka bërë PD, është e firmosur nga 43 deputetë për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. A e dini se çfarë duhet të bëjë mazhoranca? Me të marrë kërkesën, zonja Nikolla, drejtuesja e seancës, duhet menjëherë të bëjë publikimin e kërkesës në parlament dhe të bëjë miratimin e kësaj kërkese, duke propozuar anëtarët e mazhorancës, që do jenë anëtarët e këtij komisioni hetimor parlamentar dhe jo ta hedhë ne votë dhe ta rrëzojë”, theksoi ai.