Presidenti francez Emmanuel Macron tha se shpreson që Kosova dhe Serbia do të arrijnë më në fund një marrëveshje mes tyre.

Në kohën kur kryenegociatorët e të dy vendeve u mblodhën sërish sot në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti mbi normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, kreu i Elizesë pati një takim me studentët e Universitetit të Lozanës.
Ai u pyet veç të tjerash edhe mbi situatën aktuale në Ballkan. Duke iu referuar tensioneve në Kosovë, Macron tha se ato janë qetësuar paksa dhe se shpreson që liderët e të dy vendeve ta pranojnë planin e hartuar, i cili ndihmon në shtensionimin e gjendjes. Ai shtoi se druhet nga konfliktet etno-fetare që po zhvillohen në rajone të ndryshme të botës, por nuk sheh rrezik në Ballkan.

“Jam i shqetësuar për këto pjesë të globit, por jo për një rifillim të konfliktit në Kosovë”, deklaroi presidenti francez. Ndonëse e vlerësojnë si pozitive deklaratën e udhëheqësve europianë se kanë pritshmëri të larta nga përfaqësuesit e Kosovës e Serbisë, analistë të ndryshëm mendojnë se gjasat janë të vogla që kjo të ndikojë në pozicionet e palëve.
Problemi kryesor tani po shihet tek Beogradi që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe ndonëse synon integrimet evropiane, ruan lidhje të ngushta me Moskën, duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.