Deputeti i Partisë Socialiste Etjen Xhafaj, i ftuar në “Real Story” me gazetarin Sokol Balla foli për marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë, për pranimin e refugjatëve.
Ai tha se kjo marrëveshje por edhe pika të tjera që janë në agjendë me Italinë, i shërbejnë shumë Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Edhe vetë nënshkrimi i këtij protokolli, dhe diskutimi jo vetëm i kësaj pike, por edhe i pikave të tjera që kemi në agjendën tonë me Italinë është sigurisht një tregues shumë I rëndësishëm në këtë drejtim. Pra , kjo është marrëdhënie strategjike mes dy vendeve. Një marrëdhënie, e cila po zhvillohet në të dyja anët e Adriatikut për të mundësuar mirëqenë për qytetarët në të dyja anët e Adriatikut”, tha ai.

Ai shtoi se kjo marrëveshje nuk është vetëm një pajtim mes dy kryeministrash, por një marrëveshje mes dy shteteve, të cilat i gjenden pranë njëra- tjetrës në momente të vështira. Sipas tij, pjesa e emigrantëve është një problem, të cilin e vuan sot i gjithë kontinenti evropian.

“Marrëveshja nuk është vetëm marrëveshje mes kryeministrash, por është marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë për t’iu gjetur pranë Italisë në një moment deçiziv, kritike, në një problematikë, që është problem I gjithë kontinentit evropian”, tha ai.