Emiliano Martinez u shpall portieri më i mirë i vitit në ceremoninë e Topit të Artë, duke fituar çmimin Lev Yashin. “Gardiani” i Aston Villas dha një kontribut thelbësor në fitimin e Kupës së Botës nga Argjentina në Katar 2022. Nderimi i tij u shoqërua edhe nga disa vërshëllima, si pasojë e talljes ndaj Kylian Mbappe gjatë festimeve të Botërorit. Martinez i është rikthyer edhe njëherë finales Argjentinë-Francë, teksa nuk kursen elozhet për sulmuesin francez.
“A më ka bërë Kylian të vuaj? Po, ka një arsye pse ai konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë në botë. Kam shumë respekt për të si lojtar dhe si person. Natyrisht ka imazhe që janë marrë dhe është krijuar diçka që nuk ka të bëjë me personalitetin tim.
Kylian është një shembull për t’u ndjekur. Ky djalë është i mrekullueshëm dhe tashmë ka fituar një Kupë Bote me Francën, si dhe ka shënuar një ‘hat-trick’ kundër meje në finale. Unë mendoj se ai duhet të jetë krenar, siç janë francezët. A është sulmuesi më i mirë kundër të cilit kam luajtur ndonjëherë? Po. Kur Messi dhe Ronaldo të dalin në pension, unë besoj se ai do të zërë vendin e tyre dhe do të fitojë shumë Topa të Artë”, theksoi 31-vjeçari.