“Me Zefin kemi punuar më shumë se 50 vite, më shumë rrinim bashkë se në shtëpitë tona”, kështu e kujton Artistja e Merituar Zyliha Miloti, Mjeshtrin e Madh, Zef Deda.

Mes lotësh dhe dhimbjes, ikona e estradës shqiptare, Zyliha Miloti thotë se një artist kaq i madh sa Zef Deda nuk lind më, teksa shton se ai i kishte të gjitha vetitë e një artisti të mirëfilltë.

Në një prononcim për mediat pas kryerjes së homazheve në nder të Mjeshtrit të Madh, Zef Deda në teatrin “Migjeni” në Shkodër, e madhja Zyliha Miloti thotë se Zef Deda ka qenë “alegria e estradës”.

Zyliha Miloti: Sot Shkodra jonë e dashtun është zgjuar pa një artist të madh, pa një ikonë jo vetëm të Shkodrës, por të gjithë Shqipërisë! Zef Deda ka lindur për të qenë artist. Që në moshën 5-vjeçare ka dalë në skenën e teatrit “Migjeni”. Me Zefin kam punuar më shumë se 50 vjet, më shumë kemi qëndruar më njëri-tjetrin se sa në shtëpitë tona.

Zoti ia kishte falë talentin në të gjitha drejtimet. Të gjitha të dhënat që mund të ketë një artist, ja kishte falë Zoti Zef Dedës. Për mua është artist i rrallë. Zefi fizikisht nuk ekziston më, por vepra e tij artistike do të mbetet për shekuj.Them nuk lind më një Zef Dedë, një artist kaq i madh. Zefi kishte një karakter të veçantë, ishte i dashur dhe shumë gazmor. Ne e kemi quajt “alegria e estradës”, “Benjamini i estradës”.

Kujtime nga më të ndryshmet i kemi me Zef Dedën. Do të na mungojë shumë. Është një humbje shumë e madhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Herën e fundit kur e takuam na e bëri pak qefin sepse bëri edhe pak humor me ne. Ndoshta ishin momentet e fundit të jetës së tij. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! I paharruari Zef Deda! Është vështirë me lind të tillë artista, por Shkodra prapë është burim artistash!