Ministri i Drejtësisë i Francës, Eric Dupond-Moretti, pritet të përgjigjet përpara gjyqit për konflikte interesi. Gjykata e Kasacionit, e cila ka juridiksion për çështjet procedurale, i hodhi poshtë disa ankesa procedurale të ministrit të Drejtësisë.
Kjo i hap rrugën nisjes së procesit në Gjykatën e Drejtësisë së Republikës, e cila merret ekskluzivisht me shkelje apo vepra të mundshme penale nga anëtarët e qeverisë. Hetimi u zvarrit për dy vjet. Dhe deri sa të fillojë procesi gjyqësor mund të kalojnë edhe disa muaj.
Është hera e parë që në Francë hapet një proces gjyqësor kundër një ministri të Drejtësisë, i cili është në detyrë. Mund të kalojnë edhe disa muaj procedura ligjore . Dupond-Moretti hedh poshtë akuzat për shpërdorim detyre dhe nuk po mendon të japë dorëheqjen. Nëse shpallet fajtor ministri mund të dënohet me 5 vjet heqje lirire dhe 500 mijë euro gjobë.
Prezumimi i pafajësisë përballë premtimeve elektorale
Dupond-Moretti thuhet se ka përdorur postin e tij ministror për të ndërmarrë veprime kundër njerëzve me të cilët ishte përplasur më parë kur punonte si avokat. Kështu ai kishte nisur hetimet ndaj tre anëtarëve të Prokurorisë për Krime Financiare, të cilët kishin kërkuar të shihnin faturat e tij të telefonit gjatë kohës që punonte si avokat. Në një rast tjetër ai kishte nisur një hetim të brendshëm për një ish-prokuror, i cili kishte paditur një nga ish-klientët e tij. Në asnjë nga katër rastet nuk u mor ndonjë masë.
Duke iu referuar prezumimit të pafajësisë kryeministrja, Elisabeth Borne, shprehu gjatë riorganizimit të fundit të qeverisë “besimin e saj të plotë” për ministrin Dupond-Moretti, i cili u konfirmua në detyrë. Dy sindikata gjyqtarësh shprehën me këtë rast shqetësimin se proceset hetimore që priten mund të dëmtojnë reputacionin e ministrit të Drejtësisë dhe rrjedhimisht të gjithë gjyqësorit të vendit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, premtoi gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2017 një “republike shembullore”. Asokohe ai deklaroi se ministrat ndaj të cilëve hapen procese gjyqësore duhet të japin dorëheqjen./DW