44 minuta mister. Se çfarë ndodhi në mesazhin e fundit që Klaudio Myrtaj i dërgoi partneres e deri në orën 16:40 kur dyshohet se ndodhi tragjedia, për prokurorinë është ende e paqartë.
Sipas asaj që shkruajnë mediat, autoritetet italiane janë shumë pranë zgjidhjes së këtij misteri që shkaktoi vdekjen e 34-vjeçarit Klaudio Myrtaj. Ai mori një plumb në kokë. Pavarësisht se u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetonte.
Autoritetet kanë hedhur poshtë mundësinë që shqiptari të ketë pasur lidhje me krimin. Ai kishte vetëm dy vjet që kishte shkuar në atë zonë ku punonte në kompaninë e ndërtimit të kushërinjve të tij. Po ashtu, sipas autoriteteve për momentin hidhen poshtë edhe hipotezat e krimit të pasionit, larjes së hesapeve, vetëvrasjes, borxheve apo trafikimit të narkotikëve.
Me pak fjalë, nuk ka ende një motiv të qartë për atë që në fillim shikohej si një atentat i paramenduar në punishten e mikut të tij. Klaudio kishte disa ditë që e ndihmonte. Pronari i punishtes ka thënë se atë pasdite shkoi të mbushte traktorin me naftë, kështu që vrasësi mund të ketë pritur derisa është larguar dhe e ka kapur shqiptarin në befasi.
Punishtja është edhe larg syrit të kamerave të sigurisë që nuk janë drejtuar kah punishtja, por drejt rrugës.
Tashmë agjentët që po hetojnë rastin po këqyrin me kujdesin më të madh çdo pamje për të kuptuar dhe zbërthyer çdo detaj. Ajo që dihet është se nga ora 15:10-15:30, Klaudio shkoi të merrte cigare tek një tabakino. Më pas u kthye sërish në punishte.
Më herët disa persona e kishin parë të drekonte në një restorant në Vernante bashkë me disa miq. Më pas u takua me disa familjarë. Sipas dëshmive, Klaudio dhe pronari i punishtes, një pensionist, ishin të çuditshëm.
Kjo ka bërë hetuesit të mendojnë diçka tjetër. Po sikur arma të ketë qenë në punishte dhe të mos kemi të bëjmë me vrasje? Gjithçka mbetet në kuadrin e një dyshimi dhe duhet të vërtetohet nëse bëhet fjalë për një “lojë” që mund të ketë përfunduar keq mes të dyve.
“Një përgjegjësi e pavullnetshme, por dramatike dhe fatale e kujtdo që përdorte armën në ato momente”, shkruan Stampa.
Megjithatë, çdo gjë pritet të vërtetohet nga hetimet, që siç e theksojnë dhe mediat italiane, autoritetet janë shumë pranë zbardhjes së saj.