Nga BILL PERKINS (CNN)- Kur planifikojmë pushimet verore apo çfarëdo qofshin, mendojmë se ku do të shkojmë, ku do të qëndrojmë dhe çfarë do të bëjmë gjatë atyre ditëve. Pasi i kemi planifikuar të gjitha këto, lehtësisht mund të parashikojmë edhe sesa para do të na nevojiten për këtë pushim.

Por kur njerëzit planifikojnë pushimet më të mëdha dhe më të gjata të jetës së tyre, daljen në pension, shumica nuk bëjnë asgjë nga këto. Ata mendojnë vetëm se si të kursejnë para, ku t’i investojnë këto kursime, por e kanë të paqartë se si duan të kalojnë kohën e tyre të lirë teksa plaken.

Ky është gabimi i madh që bëjnë njerëzit në planifikimin e daljes në pension: sepse ata janë duke u fokusuar te paratë, pa menduar mjaftueshëm për aktivitetet që do të bëjnë në të vërtetë.

Babai im, i cili luajti futboll për New York Jets para se të bëhej avokat dhe politikan, ishte një ‘djalë’ i fortë edhe në të 70-at e tij. Por në atë moshë, gjunjët po e shqetësonin deri në atë pikë, sa e kishte të vështirë lëvizjen.

Në atë kohë ai nuk donte të largohej nga dhoma e tij për asgjë, madje as për terapinë fizike që i duhej. Ajo që i solli gëzim në ato çastë të jetës, ishte një album që kisha përgatitur për të nga vitet e tij si yll futbolli. Teksa e shikoja sesi merrte kënaqësi nga lavdia e rinisë së tij, më goditi me fjalët: “Mos dil në pension me para, por dil me kujtime!”
Pikërisht në atë moment kuptova sesa e rëndësishme ishte të mblidhje “kujtime” jo para dhe nisa ta praktikoja atë që tha im atë që atë ditë.

Planifikimi i aktiviteteve duke pasur parasysh kohën është thelbësor për të përfituar sa më shumë nga paratë. Nëse nuk mendoni për aktivitetet tuaja të ardhshme, si mund të dini se sa para duhet të kurseni? Ose do të kurseni shumë pak, ose do të rrezikoni të bëheni një nga miliona njerëz që vazhdojnë të grumbullojnë pasuri deri në të 60-at e tyre e më tej.

E di që tingëllon e çuditshme opinioni im, pasi shumica e njerëzve nuk e mendojnë akumulimin e pasurisë në pleqëri si negative, por kjo është pikërisht pikëpamja ime: njerëzit duhet të kuptojnë se kursimi për një kohë të gjatë është një humbje nëse ju kufizon kënaqësinë deri në pikën sa ka pak ose aspak kënaqësi në jetën tuaj.

Të dhënat e Bordit të Rezervës Federale tregojnë se vlera mesatare neto e familjeve amerikane arrin kulmin kur kryefamiljari është midis moshës 65 dhe 74 vjeç. Kjo më tregon se shumë njerëz do të vdesin para se të arrijnë të shpenzojnë të gjitha paratë që kanë fituar duke dhënë energjinë e tyre të jetës për t’i fituar ato. Këta kursimtarë të mëdhenj do të jenë të pasur me dollarë, por të varfër në atë që ësht vërtet pasuri: krijimin e përvojave pozitive të jetës.

Unë sigurisht e kuptoj pse njerëzit përqendrohen më pak në aktivitete sesa në para kur planifikojnë të dalin në pension. E ardhmja ka disa të panjohura të mëdha, duke përfshirë sa gjatë do të jetoni dhe çfarë krize shëndetësore mund t’ju godasë. Dhe sigurisht që është e mençur të kurseni për një ditë “të zezë”.

Çfarë i shtyn njerëzit të kursejnë më shumë sesa mund të shpenzojnë gjatë jetës së tyre?
Unë besoj se ata përpiqen të mbulojnë çdo skenar të rastit më të keq, për të cilin është sigurimi. Nëse nuk jeni miliarder, nuk do të keni mjaftueshëm për të mbuluar çdo skenar të rastit më të keq gjithsesi, kështu që përpjekja për të kursyer më shumë për këtë është një lojë e humbur. Sigurisht, as sigurimi nuk do të mbulojë gjithçka, ashtu si rripi i sigurimit nuk do t’ju shpëtojë gjithmonë jetën në një aksident, por gjithsesi është më mirë të ngisni makinën me rripin e sigurimit sesa të mos hipni kurrë në makinë.

Disa fokusohen në kursimin e shumë parave sepse duan të lënë një trashëgimi për fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre. Nëse dëshironi të përfitoni sa më shumë nga pensioni juaj, me këdo që planifikoni ta kaloni atë, sigurisht që duhet të investoni në shëndetin tuaj tani, në mënyrë që të ngadalësoni shkallën e plakjes biologjike. Por dijeni se sado në formë të jeni, nuk do ta ndaloni plotësisht rënien fizike me moshën.
Si rezultat, shumica e njerëzve bien fizikisht sapo dalin në pension, siç ishte sigurisht e vërtetë për babin tim. Mijëra njerëz në të 70-at dhe 80-at i kalojnë ditët e tyre në aktivitete më të qeta si dreka me familjen dhe miqtë që zakonisht kushtojnë më pak se udhëtimet p.sh.

Kjo është arsyeja pse shumë nga këto aktivitete duhet të bëhen më herët në jetën tuaj, kur do të jeni në formë më të mirë për t’i shijuar ato në maksimum. Unë jam 54 vjeç dhe kur vizitova Shën Petersburgun në 2017-ën, nuk pashë asnjë të moshuar në majë të Katedrales së Shën Isakut, ndoshta sepse shumica e pensionistëve nuk janë të gatshëm të ngjiten në shkallët e ngushta që është e vetmja rrugë me pamjen e mrekullueshme 360 gradë të qytetit. Nuk është se pensionistët nuk mund ta shijojnë gjithsesi udhëtimin e tyre, por ndoshta është një udhëtim më pak i kënaqshëm, sesa nëse do ta kishin bërë më herët.

Unë besoj se kjo është arsyeja pse, edhe duke përfshirë shpenzimet e kujdesit shëndetësor, pensionistët shpenzojnë më pak se të rriturit që punojnë. Kur ndaloni së menduari seriozisht për atë që do të bëni kur të dilni në pension, jo vetëm në vitet e para, por për pjesën tjetër të jetës suaj, me shumë mundësi do të shihni se do t’ju duhen më pak para se sa keni menduar.

Të mendosh për pleqërinë mund të jetë e frikshme. Ju mund të keni frikë, ose mund të keni një jetë që e jetoni. Zgjedhja është e juaja.

*Sipërmarrës, menaxher dhe producent filmash si dhe autor i “Die with Zero”/ Shqipëruar nga Web-TCH