Shqipëria u kualifikua në Europian për herë të dytë në histori. Pak minuta pas mesnate, lojtarët e Kombëtares mbërritën në vendin tonë, me entuziazmin që ishte mjaft i madh pas atij barazimi me Moldavinë. Shumica e lojtarëve që ishin të grumbulluar për këtë takim ishin aktivë në rrjete sociale, duke përjashtuar këtu ndonjë futbollist. Nga portieri Berisha, te Ismajli dhe deri te Daku, shprehën gëzimin e tyre në Instagram.

“Nder dhe Krenari. Euro 2024” – Shkruan Ismajli. Daku shkruan në gjermanisht: “Shihemi në Gjermani, mirupafshim”!

Berat Gjimshiti u la jashtë skuadrës në Euro 2016, por falë durimit dhe qëndrueshmërisë, mbrojtësi i njohur tashmë e sheh veten në Euro 2024.“Gjermani, Shqiponjat po vijnë” – Shkruan Gjimshiti. Etrit Berisha shkurt: “1 komb”.

Shorti i Euro 2024 do të mbahet me datën 2 dhjetor. Nuk na mbetet asgjë tjetër veçse t’u urojmë fat djemve dhe të “kryqëzojmë gishtat” për më të mirën.