Kristjan Asllani po ka lon një moment të artë si në planin personal, ashtu edhe në atë ekipor. Pasi ka arritur të sigurojë gjithmonë e më shumë minuta me Interin, me skuadrën që kryeson kampionatin dhe grupet e Ligës së Kampioneve, mesfushori ka qenë protagonist edhe në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kombëtares, me të cilën po shijon tani kualifikimin e siguruar në Europianin e 2024-ës.
Por nuk pati shumë kohë për festë për elbasanasin që duhet të rikthehet menjëherë nën urdhrat e Inzagit për të përgatitur supersfidën e fundjavës mes Juventusit dhe Interit. Në një intervistë për “Sportmediaset”, 21-vjeçari ka komentuar momentin e tij dhe ka analizuar duelin e së dielës dhe objektivat.
Kristjan, si ndiheni? Nuk keni qenë gati për Frozinonen.
Jam mirë. Vendosëm të gjithë bashkë, me mjekët dhe trajnerin të mos isha kundër Frozinones sepse do të kisha rrezikuar një dëmtim. Por jam mirë.
Jeni kualifikuar në Europian me Shqipërinë.
Është krenari, është hera e dytë për Kombëtaren. Jam i lumtur për veten, familjen time dhe të gjithë tifozët. Tani le të shkojmë në Gjermani dhe të shohim si do të shkojë.
Keni shanse për të takuar Italinë…
Gjëja e parë që bëra kur u ktheva në dhomat e zhveshjes ishte të shikoja rezultatin e Italisë. Jam i lumtur për të gjithë shokët e mi të skuadrës, e meritojnë këtë. Ekziston kjo mundësi, do të ishte bukur, por Italia është një skuadër e fortë. Për ne është hera e dytë, duhet ende të përmirësohemi.
Çfarë ka ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar edhe për Interin?
Vitin e kaluar isha i treti në rol, e dija që do të kisha më pak minuta. Duhet të falënderoj shumë klubin, trajnerin që po më ndihmon çdo ditë. Falënderoj Çalhanoglunë që është një person fantastik, më ndihmon dhe më jep shumë këshilla. Ka ndryshuar edhe mënyra si unë luaj në fushë, jam përmirësuar. Kam admiruar ata që kam pasur përpara si Brozoviçin dhe Çalhan, më ka ndihmuar kjo dhe ndjej se tani jam gati.
Juventusi është në horizont. Si e shihni ndeshjen?
Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, ata janë të fortë, ne do të shkojmë atje të bëjmë lojën tonë dhe do të synojmë më të mirën. Mund të thuhet që është një ndeshje për titull, por le të shohim sepse ka shumë ekipe në garë.
Për objektivin sezonal, zgjidhni titullin apo Ligën e Kampioneve?
Unë e shikoj nga ndeshja në ndeshje. Po bëjmë një përparim të madh në kampionat, tani kemi siguruar kualifikimin në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve dhe synojmë vendin e parë.
Dëshironi të bëheni titullar i padiskutueshëm?
Nuk ka afat për këtë, jam duke punuar shumë. Dua të gjej hapësirën time, dua më shumë minuta, por çdo gjë kalon nga puna.
Ju kanë kërkuar shumë skuadra në verë. Është e vërtetë që ju donit të qëndronit tek Interi dhe ka rezultuar se kishit të drejtë në vendimin që morët?
Po, doja të qëndroja, por një meritë e madhe ka edhe klubi dhe trajneri. Në fund shkoi mirë për të gjithë.
Benaseri ka thënë se nuk do të bënte asnjëherë atë që bëri Çalhanolgu, pra të vinte tek Interi. A do të shkonit ndonjëherë te Milani?
Unë jam i Interit, jam i lumtur që jam me këta djem. Kur dëgjova për thirrjen e Interit, menjëherë thashë po. Unë jam një tifoz i Interit dhe jam i lumtur kësht. Mendoj vetëm për Interin.
Çfarë raporti keni me Inzagin?
Trajneri më ndihmon dhe më ka ndihmuar, ka folur me mua, më ka dhënë minuta që nuk i prisja. I kam shfrytëzuar mirë, por e përsëris gjithçka vjen nga puna.
Ylli i dytë është i arritshëm?
Ylli i dytë është një ëndërr e realizueshme. Ne do ta provojmë dhe do të përpiqemi, pastaj do të shohim çfarë do të ndodhë./Panorama Sport