Presidenti i sapozgjedhur i Argjentinës, liberali ekstrem, Javier Milei, ka mbërritur në SHBA për bisedime me zyrtarët amerikanë.
“Trump i Argjentinës”, siç e kanë quajtur shumë media të huaja, do të vizitojë Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Para inaugurimit të tij, më 10 dhjetor, presidenti i sapozgjedhur i ekonomisë së tretë të Amerikës Latine do të zhvillojë sot bisedime në Uashington me Juan Gonzalez, këshilltar i presidentit amerikan, Joe Biden. Ai gjithashtu do të takohet edhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe të Thesarit.
Ndërsa fitorja e Javier Milei ngre pikëpyetje ndërkombëtare në lidhje me strategjinë e tij të ardhshme në vend, qeveria e tij po përpiqet të shlyejë një hua prej 44 miliardë dollarësh nga FMN në 2018 pasi rezervat valutore të vendit kanë rënë në nivelet më të ulëta historike.