Të gjithë drejt stadiumit. Edhe pse ndeshja ishte planifikuar të luhej në orën 20:45, u panë që shumë tifozë ishin nisur më herët dhe stadiumi u mbush më shpejt seç pritej. Një perimetër i largët sigurie nga Policia e Shtetit, aq sa nuk ishte në takimin me Poloninë që për më shumë njihet edhe për tifozët e saj problematikë. Gjithsesi kjo ishte zgjedhja e Policisë, që kishte vënë edhe qenë kufiri, të specializuar për gjetjen e sendeve të paligjshme, edhe pse tifozë rivalë ishin rreth 10 persona.
“Panorama Sport” sjell të gjithë momentet pikante të sfidës Shqipëri-Ishujt Faroe, e cila përfundoi në barazim pa gola, por në fund kuqezinjtë e mbyllën të parët në grup dhe stadiumi shpërtheu në festë pas ndeshjes, ashtu edhe siç ishte programuar.
* Tifozët Kuq e Zi festojnë 20 vjetorin e themelimit si tifo-grup. Në momentin e fillimit të ndeshjes, ata shpalosën në sektorin e tyre një flamur të madh ku shkruhej: “O sa mirë me qënë shqiptar”. Të palodhur si gjithmonë, tifozët e Kombëtares nuk pushuan në asnjë minutë duke brohoritur për ngjyrat kuqezi.
* Një flamur gjigant u shpalos në tribunën karshi në momentin që lojtarët dolën në fushë. Gjatë himnit, ata u kthyen me fytyrë nga flamuri, për të kënduar andej dhe jo me shpinë.
* Të pranishëm në tribunën kryesore kishte personalitete nga çdo fushë, politika, arti dhe sporte të tjerë. Po ashtu shumë ish-futbollistë të ekipit kombëtar, por edhe nga Kategoria Superiore. Natyrisht edhe shumë familjarë të lojtarëve që ishin në fushë, apo të trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik.
* Bashkë ishin bërë Ardian Takaj, Ardian Bardhi dhe Edmond Hysenbelli, tri presidentët e klubeve si Skënderbeu, Dinamo dhe Teuta.
* Në fushë zbriti edhe Armando Sadiku, por jo i zhveshur pasi nuk ishte këtë herë në listën e Silvinjos. Sulmuesi që luan në Indi dhe është shënuesi i golit të vetëm në Europian për Shqipërinë, takoi lojtarët, stafin si edhe Dorivën pak më shumë.
* Edhe pse Broja mungonte për Shqipërinë, në shkallët e stadiumit u panë tifozë që mbanin një shall blu me foton e sulmuesit.
* Në minutën e 20-të një lojtar i Ishujve Faroe bezdiset nga kanatjerja poshtë. E heq dhe vesh sërish bluzën e lojës.
* Silvinjo padyshim që iu ka vjedhur zemrat të gjithë shqiptarëve, duke bërë të mundur që Kombëtarja jonë të kualifikohet në Europian për herë të dytë në histori. Në tribuna është shfaqur edhe një flamur brazilian për nder të trajnerit të Shqipërisë./ PANORAMASPORT.AL