Prokurorët në gjyqin për krime lufte të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, po kërkojnë të kufizojnë komunikimet dhe ta mbajnë atë të ndarë nga të burgosurit e tjerë për shkak të shqetësimeve që ai dhe dy të bashkë-akuzuarit po përpiqen të ndikojnë mbi dëshmitarët, shkruan Reuters.
Prokurorët kërkuan nga gjyqtarët që të urdhërojnë “ndarjen dhe pezullimin e menjëhershëm të të gjitha komunikimeve” të Thaçit dhe dy ish-udhëheqësve të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen bashkë me të.
Avokatët e Thaçit thanë se ishte shumë herët për t’iu përgjigjur publikisht akuzave.
Thaçi dhe tre të pandehur të tjerë janë në gjyq që nga muaji prilli për 10 akuza për persekutim, vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë të njerëzve gjatë dhe menjëherë pas kryengritjes guerile të viteve 1998-99 që përfundimisht solli pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Por ata i mohojnë të gjitha akuzat.
Sipas prokurorëve, Thaçi dhe dy të bashkëakuzuarit ua kanë zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur vizitorëve të tyre në paraburgim dhe në disa raste me sa duket i kanë udhëzuar ata që t’u tregojnë dëshmitarëve të mundshëm se çfarë të thonë kur merren në pyetje.
Dokumenti tregon se prokurorët, me lejen e gjyqtarëve, inçizuan bisedat e të dyshuarve me vizitorët. Prokurorët thonë se dëshmitarë të shumtë të mbrojtur në rastet e Thaçit kanë raportuar se u janë afruar njerëz që përpiqen të pengojnë ose ndikojnë në dëshminë e tyre.
Dhoma e Specializuar e Kosovës, me seli në Holandë dhe me staf nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, u krijua në vitin 2015 për të trajtuar rastet sipas ligjit të Kosovës kundër ish-guerrilasve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Dhoma u vendos në mënyrë specifike jashtë Kosovës për shkak të shqetësimeve për frikësimin e dëshmitarëve pasi ish-udhëheqësit e UÇK-së shihen si heronj në Kosovë, shkruar Reuters.
Më shumë se 13,000 njerëz, shumica e të cilëve shqiptarë të Kosovës, besohet se kanë vdekur gjatë kryengritjes, kur Kosova ishte ende një provincë e Serbisë nën presidentin e atëhershëm Slobodan Millosheviç.
Nuk është e qartë se kur gjyqtarët do të vendosin për kërkesën.