“Athina po përshkallëzon reagimet e saj kundër mbajtjes ende në burg të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri”, kështu shkruan sot media greke, “Protothema”.
Më tej thuhet se sipas informacioneve, sot në COREPER (Këshilli i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së) Greqia ka shprehur hezitim në lidhje me ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, duke bërë të qartë se nuk do të japë pëlqimin për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë nëse nuk do të ketë zhvillime pozitive në lidhje me marrjen e detyrave të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarës, Fredi Beleri.
Në tetor, Greqia nuk ka pranuar dërgimin e letrës së “27”-ve për hapjen e një sërë Kapitujsh në pikënisjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë.
“Athina me deklaratat e ministrit të Jashtëm Giorgos Gerapetritis dhe me misionin në Tiranë të ministrit të shtetit Stavros Papastavros i cili vizitoi Fredi Belerin në burgun e Durrësit, ka dërguar një mesazh të qartë se do të përdorë çdo mjet presioni që ka në dispozicion, për të rrëzuar këtë ndjekje penale arbitrare dhe politike ndaj Belerit, i cili dhunon brutalisht Shtetin e Ligjit në Shqipëri”, shkruan “Protothema”. BW