Kryeministri Edi Rma nga Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste në Dibër ka deklaruar se është meritë e PS-së që qysh nga formimi i shtetit shqiptar në 1912-ën deri sot vendi ynë për herë të parë ka një drejtësi të barabartë si për qytetarin e thjesht edhe për pushtetarët.

“Që nga themelimi i Shqipërisë në 1912, populli shqiptar po shikon se si një qytetar i zakonshëm, dhe një njëri i veshur me pushtet mund të jenë të barabartë. Dhe për herë të parë në historinë e popullit shqiptar, njerëz të veshur me pushtet, njerëz që deri dje dukeshin të paarritshëm nga dora e drejtësisë, njerëz që e bënin Shqipërinë të dukej tmerrësisht keq edhe në demokraci, sot janë të gjithë të prekshëm dhe miti i pandëshkueshmërisë është rrëzuar. Në Shqipëri nuk ka individ të pandëshkueshëm. Kjo duhet të bëjë krenar çdo anëtar të kësaj familje politike sepse këtë hap historik në gjithë historinë e këtij vendi që kur ngriti flamurin e pavarësisë mundi t’ja mundësonte PS-ja.
Asgjë nuk ka peshën e rëndësisë historike që ka Reforma në Drejtësi, që ne e ëndërronim dem babadem. Kur them e ëndërronim kam parasysh të gjithë socialistët, gjithë anëtarët e kësaj familje politike sepse për fat të keq qysh në krye të herës politika u nda në një mënyrë të keqe ku anën e keqe të historisë socialistët e kanë vuajtur që ditën e parë, kur hidheshin në rrugë dhe së bashku me familjarët e tyre nuk shihnin dot një derë të shtetit të hapur. E kanë vuajtur edhe kur fitonin dhe nuk mund të gëzonin dot për këtë sepse kërciste një dajak që s’kishte lidhje me vlerat europiane.

Nëse ja jep çdo fëmije, mjafton të ketë marrë mësime shkrimi dhe këndimi në klasën e tretë dhe të katër, dhe i thua ja kush është njëra palë, ja kush është tjetra, ja fusha dhe vëru emër se kujt do ti vësh emrin e shkatërruesit dhe kujt të ndërtuesit qysh nga 1991, ai ta thotë qartë. Dhe kjo parti me të mirat dhe gabimet e saj ka pasur bon sensin e shtetit. Që shteti vjen para pushtetit. Nuk është rastësi që kjo reformë të cilën socialistët e ëndërronin si shqiptarë, u kthye në një projekt, u bë pjesë e programit”- tha Rama.