Nga Ylli Pata/
Vendi po hyn në vitin e fundit përpara zgjedhjeve parlamentare me një balancë më të prishur se para 14 majit.
Socialistët e Edi Ramës, jo vetëm morën më shumë se 90% të njësive vendore, por fituan edhe në bastione të palëvizshme të opozitës si Shkodra, Tropoja etj.
Ky realitet politik, i ka dhënë mazhorancës një fushë të zbrazët, e natyrisht ka ofruar një mungesë balance e frustrim, i cili trajtohet vazhdimisht në diskutimet politike në panelet e darkës, por që nuk është se kanë marrë deri më sot adresimin shterues të një debati që të sjellë frutet e duhura.
Në krahun tjetër, atë të opozitës, kemi një situatë kaotike, ku njëra palë po konsumohet për fatin penal të Sali Berishës, e nga ana tjetër një opozitë që megjithatë ka një lëvizje të vakët e të druajtur, duke pasur akoma iluzionin e “bashkimit”.
Bëhet fjalë për opozitën e Lulzim Bashës, i cili megjithatë ka hartuar disa teza të një reforme të madhe politike në vend, ku ofron një Republikë të re. Një Republikë, e cila sipas kreut të PD-së mbështetet përveçse me vettingun e politikanëve, edhe me ndryshimet kushtetuese, si për modelin elektoral, ashtu edhe me funksionimin e shtetit.
Në aspektin zgjedhor, Basha propozon listat e hapura dhe votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë, në vendet e tyre, pa ardhur në Shqipëri.
Kodi elektoral i vitit 2008, që hoqi sistemin mazhoritar për shumicën e parlamentit, ka dy veçanti themelore.
Ndryshe nga sistemi para 2008-s, kur fitonte deputet ai kandidat që merrte qoftë edhe një votë më shumë se të tjerët, aktualisht një parti politike merr deputetë edhe në ato qarqe ku nuk është shumicë. Por kjo ka krijuar një panoramë të lexueshme dhe të parashikueshme, e lufta reale politike bëhet për 3-4 mandate në qarqet kryesore e më të mëdha të vendit.
Sali Berisha, në fillim korri fryte pozitive të këtij sistemi në zgjedhjet e 2009-s, por opozita gjithnjë e më shumë e ka kuptuar se ky model i paktit të 2008-s nuk është ai sistem që i siguron një përfaqësim real.
Përpara vitit 2001, Shqipëria ka pasur një sistem më të drejtë politik, si për Parlamentin, ashtu edhe për bashkitë e komunat e vendit. Kryetar apo deputet zgjidhej ai kandidat që merr më shumë se 50 përqind të votave. Nëse asnjëri nuk i merr ato vota, atëherë kryhej një raund i dytë zgjedhor apo balotazh, ku zgjidhej mes dy kandidatëve që ishin kualifikuar të parët.
Një raund i dytë, i cili më shumë se reflektim më i thellë për procesin, ishin edhe një mundësi për atë që quhet “elektorati gri” për të qenë vendimtar në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve.
Në mos për Parlamentin, ku duket se nuk ka vullnet politik për të rikthyer mazhoritarin si sistem, por të ecet me zgjdhjen proporcionale, të paktën për zgjedhjet e kryetarëve të bashkive, duhet të kthehet sistemi alla francez me dy turne. Ku kryetar të zgjidhet ai kandidat që përveçse është provuar në dy palë votime, të fuqizojë legjitimitetin e vet sa më shumë, që të mos ketë as frustrime e as inate pas përfundimit të zgjedhjeve.
Bashkitë do të kenë drejtues jo atë që ka marrë 1 votë më shumë se të tjerët, por që ka fituar me shumicën absolute. Kjo lloj gare, ka të gjitha mundësitë që jo vetëm partitë politike të zgjedhin kandidatët më të mirë, por edhe njerëzit që kanë dëshirë të promovohen, kanë të gjitha gjasat që të arrijnë të prishin monopolin e partive të mëdha.
Ndërkaq, një tjetër pikë e propozimeve të Lulzim Bashës është edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli. Është një variant që e kanë thuajse të gjitha vendet e Ballkanit, si në Serbi, Mal i Zi, Maqedoninë e Veriut, Kroaci etj.
Por ky model, më shumë se një shembull balancimi, në një vend të vogël si Shqipëria, mund të kthehet jo në një zgjidhje më shumë, por një problem më shumë. Sepse kështu është edhe në disa prej vendeve që e aplikojnë, ku nuk dihet kush është më i fuqishëm, presidenti apo kryeministri, ku në letër republikat janë parlamentare.
Futja e një precedenti të tillë në Shqipëri, thjesht mund të kthejë modelin e Ilir Metës në Presidencë, ku institucioni numër një i vendit të kthehet në një bunker politik.
Në këtë rast, Shqipëria ose do të vijojë të jetë republikë parlamentare siç nisi në vitin 1990, ose të kthehet në republikë presidenciale si Franca. Modeli hybrid që Shqipëria e ka provuar me Sali Berishën President që ishte më i fortë se qeveria e PD-së, jo vetëm që nuk solli një zgjidhje, por e futi vendin në krizë pak vite nga rrëzimi i sistemit komunist.
Mjafton të kthehet modeli i para vitit 2008, ku Presidenti zgjidhej në një process që të çonte tek selektimi dhe konsensusi, ku duhej të merrte dy të tretat e votave të Parlamentit. Njësoj si kur miratohet Kushtetuta e Republikës. Kështu, rritet baza e përfaqësimit, autoriteti i kreut të shtetit, për të qenë realisht simboli i unitetit kombëtar.
Por, baza e një Republike të re është braktisja e modelit 30 vjeçar të administrimit të zgjedhjeve dhe rritja e bazës së votuesve që janë të regjistruar në vend. Heqja e partive kryesore nga roli i numrimit të votave dhe administrimit të procesit zgjedhor, përveçse largon marifetçinjtë e mjeshtrave të proceseve zgjedhore, shton besimin e publikut te zgjedhjeve e rrit legjitimitetin.
Por e gjitha kjo nuk mund të bëhet me deklarime të vakëta në takime me militant siç bën Basha. Por me diskutime të nxehta në shoqëri dhe në media, për të marrë e për të dhënë pulsin e publikut. Ku natyrisht të hyjnë e të afrohen të gjithë ata që e konsiderojnë veten si aktorë të rinj. Opozita nuk ka pse të ketë drojë për aktorët e ri, por të përthithë të gjithë zërin e shoqërisë, për tu kthyer më pas në një alternativë, që jo vetëm mund të thyejë monopolin e mazhorancës së sotme, si dhe të fitojë besueshmërinë si qeverisje e nesërme.