Lionel Messi kompletoi kryeveprën e tij të tetë, për herë të tetë në karrierë fitoi “Topin e Artë”. Në fjalën e tij, “pleshti” theksoi se ky ishte trofeu i tij i fundit i artë, duke bekuar Haaland dhe Mbappe si pasuesit e tij. Messi është i qartë se mosha, por dhe kampionati ku luan, e bëjnë të pamundur këtë, ndërsa prezenca e tij në Botërorin e 2026 nuk është e sigurt.
Pavarësisht këtij fakti, Messi mund të marrë një tjetër dhuratë të çmuar nga “France Football”, bëhet fjalë për “Super Topin e Artë”. Ky është një trofe që revista prestigjioze franceze e akordon për lojtarin më të mirë në tre dekadat e fundit. Për herë të parë, “France Football” e akordoi një çmim të tillë në 1989 ku festuan 30 vjetorin e themelimit të revistës. Në ato kohë, me “Super Topin e Artë” u vlerësua legjenda Alfredo Di Stefano.
“France Fooball” po mendon që të akordojë një tjetër trofe të tillë, këtë herë në 2029, ku favorit kryesor shihet sërish Leo Messi. Në këtë garë, Messi pritet të ketë sërish rival C.Ronaldo-n, fitues i 5 herë “Topit të Artë”, por në garë priten të jenë edhe yje të tjerë si Ronaldo fenomeni, Zidane, Ronaldinho e shumë të tjerë.