MILANO – Champions League zhvillon sot ndeshjet e katërta në disa grupe. Në “San Siro”, Milani pret PSG-në në orën 21:00. Me skuadrën nga Franca luan edhe Giggio Donnarumma. Portieri më herët ka qenë pjesë e kuqezinjve, duke dalë nga akademia e Milanit.

Largimi i tij në 2021 drejt PSG ishte me shumë kritika, teksa tifozët e akuzuan se lojtari la ekipin e fëmijërisë dhe u largua për çështje lekësh. Për këtë, mijëra letra janë printuar me dollarë falso dhe kanë të stampuar fytyrën e portierit, të cilat do hidhen sot në stadium në shenjë proteste kundër tij. ‘Mercenar’, shkruhet në to. Me gjashtë pikë pas tre ndeshjeve, PSG mban vendin e parë në grupin F, ndërsa Milan me dy pikë është në vendin e fundit, duke mos marrë fitore. Kuqezinjtë e kanë “trenin e fundit” për të shpresuar kalimin nga grupi.