TIRANË- Analisti Eduard Zaloshnja ka komentuar në Report Tv strategjinë e deputetëve të Sali Berishës, të cilët edhe këtë javë nuk lejuan zhvillimin e seancës plenare duke ndezur tymuese e duke mbledhur karriget pirg në foltore. Zaloshnja thotë se kjo strategji e Berishës nuk është e suksesshme, pasi një gjë e tillë do kishte rezultate vetëm nëse ish-kryeministri do të kishte mbështetje të gjerë dhe të vazhdueshme popullore.

“Gjysma e shqiptarëve duan që komisionet hetimore të mos pengohen nga mazhoranca. Janë kundër vendimit për të mos i krijuar këto komisione. Vetëm çereku i shqiptarëve përkrahin strategjitë e opozitës. Kemi të bëjmë me një çerekun e shqiptarëve që janë edhe kundër mazhorancës edhe opozitës së Berishës që ka flamurin në këtë bllokim të parlamentit”, tha Zaloshnja.

Në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, me gazetarin Nertil Agalliu, Zaloshnja u ndal edhe në gjetjet e sondazhit të tij për Report Tv, ku gjysma e shqiptarëve i duan komisionet hetimore, por treçereku nuk duan bllokimin e Kuvendit. Bazuar në këto shifra Zaloshnja thotë se shqiptarët nuk mendojnë se rruga për të arritur tek normalizimi i situatës në parlament është kjo me tym dhe karrige, e më të bërtitura.

Sa i takon mazhorancës, Zaloshnaj thotë se është treguar arrogante duke mos lejuar ngritjen e Komisioneve Hetimore.
“Mazhoranca është treguar shumë arrogante në bllokimin e mundësive për hetimet parlamentare që u theksua edhe në raportin e KE. Opozita në fund, komisionet dhe interpelancat ka si mjetin e vetëm për t’iu kundërvënë mazhorancës. Por duket që shqiptarët e thjeshtë, nuk mendojnë se mënyrat për të arritur deri tek normalizimi i situatës në parlament është kjo me tym dhe karrige, e më të bërtitura. Kemi gjysmën e shqiptarëve që janë kundër mazhorancës, por vetëm çereku pro rrugës që ka zgjedh Berisha. Nëse do mbetet Berisha me çerekun e shqiptarëve do mbetet në minorancë. Kjo strategji hidhen tymuese, bërtitet, tjetri përplaset në mënyrë fizike, këto lloj taktikash nuk kanë sukses nëse nuk kanë një mbështetje të gjerë popullore dhe të vazhdueshme”, u shpreh Zaloshnja.
Një koment e ka edhe për Lulzim Bashën, i cili ka zgjedhur të qëndrojë larg këtij kaosi.
“Basha pavarësisht se ka rreth 10 deputetë që e p[përkrahin. S’ka peshë as në parlament, as në elektorat. Bëj sondazhe rregullisht në Report Tv. Basha edhe në nivel të gjerë elektoral, maksimumi 100 mijë veta mund të jenë gati për të votuar për Bashën. Pesha e tij elektorale në kuvend është e vogël, mund të konsiderohet me një parti të vogël, psh si ish-LSI”, tha Zaloshnja.

Edhe seancën e 9 nëntorit, Rithemelimi e bllokoi duke krijuar kaos me ndezjen e tymueseve dhe bllokimin e foltores me karrige. Për këtë arsye, pasi kaluan në votim gjitha projektligjet, Nikolla e mbylli seancën për 20 minuta.