Agresioni i Rusisë në Ukrainë vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e punës së Uashingtonit për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor që të arrijnë aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike.

Kështu tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë në pyetjen nëse SHBA-ja ndan shqetësimin me Bashkimin Evropian sa i përket një deklarate të bërë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se Moska dëshiron të nxisë konflikt në Ballkanin Perëndimor.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të gjitha shtetet në Evropë, kanë një interes të madh në rezultatin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, luftë që kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është thelbësore që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Më herët gjatë javës, Zelensky deklaroi për mediat afrikane se ai ka prova të synimeve të Moskës për të nisur një luftë midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. Së pari kemi pasur, Lindjen e Mesme, shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, tha Zelensky më 15 nëntor.

“Raportet e tyre të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë në krizë që një kohë të gjatë. Prandaj, Rusia do të investojë që të sigurohet që një shtet i Ballkanit do të jetë në luftë me një shtet tjetër”, shtoi ai.

Për synimet e tilla të Moskës u pajtua edhe BE-ja. Zëdhënës i BE-së, Peter Stano deklaroi se blloku për një kohë të gjatë ka thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në Ballkanin Perëndimor.