Policia rrugore e Lezhës ka shtuar masat në gjitha akset rrugore në Mirditë, Laç dhe Lezhë.

Shpejtësia e lartë pranë qendrave të banuara ka bërë që rrugorët e Lezhës të vendosin mjetin inteligjent në disa akse më problematike të këtyre qyteteve.
“Në kuadër të rritjes së parametrave të sigurisë rrugore dhe brenda qyteteve ne kemi vendosur siç kemi pasur në monitorim të gjitha akset rrugore kemi vendosur dhe brenda qytetit mjetin inteligjent për monitorimin e lëvizjes së shpejtësisë së automjeteve. Mjeti inteligjent herë pas here është dhe në lëvizje në rrugë të ndryshme të Lezhës, Laçit dhe Rrëshenit”, u shpreh shefi i Sektorit të Policisë Rrugore Lezhë, Valmir Nikolli.

Shefi i Sektorit të Policisë Rrugore Lezhë thotë së gjatë këtyre ditëve ka patur raste ku drejtuesit e automjeteve janë ndëshkuar për tejkalim të normave të shpejtësisë.
“Duke qenë se brenda qendrave të banuara shpejtësia maksimale e lejuar për lëvizje është 40km/h, ka drejtues mjetesh të pa ndërgjegjshëm të cilët nuk i respektojnë rregullat, sidomos të shpejtësisë dhe kemi patur raste dhe të ndëshkimit ,kryesisht janë rastet e ndëshkimit të shpejtësisë me jo shumë të lartë, që janë 10 deri në 30 km/h më shumë sesa ajo e lejuara”, tha Valmir Nikolli.
Ai shprehet se ky monitorim do të vijoje në të tre qytetet e qarkut të Lezhës pasi janë konstatuar shkelje por ka kërkuar edhe vëmendjen e përdoruesve të rrugës që të bëjnë kujdes ne kalimin e rrugës gjatë kësaj periudhe që ka kufizime të fushëpamjes sidomos gjatë natës.
“Ne do të vazhdojmë monitorimin e akseve rrugore me këtë rast do t’ju tërhiqja vëmendjen përdoruesve të rrugës këmbësore pasi në kushtet e dimrit. Gjatë ditëve të fundit që është vendosur mjeti inteligjent pranë qendrave të banuara janë dhëne 90 masa administrative për drejtuesit e mjeteve qe kalojnë normat e shpejtësisë pranë këtyre zonave”, u shpreh Nikolli.