Gjatë gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, në gjykatë janë dëgjuar dëshmitë, e deklarata kontradiktore të dëshmitarëve të prokurorisë. Se si do të ndikojë kjo në proces tregojnë avokatë të akredituar nga Gjykata Speciale, teksa organizata e veteranëve të UÇK-së vazhdon mos të ketë besim në këtë gjykatë. Të paktë janë ata që në Gjykatën e Hagës dolën me zë dhe figurë, por ata që folën haptas u luftuan mjaft ashpër juridikisht nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së. Bile disa u demantuan keq, pranuan gabimet, deri ku insertet seancash u konsideruan fitore për të akuzuarit në Hagë.
Bëhet fjalë për zyrtarin e Human Rights Watch, dëshmitarin e Kaçanikut Agim Idrizi, si dhe disa serbë të pretenduar si gazetarë që dolën të kenë qenë pjesë e shërbimeve sekrete serbe, e deklaratat e që të gjithëve qenë mjaft kontradiktore. Problematik rolin e tyre në këtë gjykim e sheh avokati i akredituar nga Specialja, Fehmije Gashi, që thotë se mbi deklaratat e tyre është ngritur edhe aktakuza. Por, sipas saj, për të ditur se a ndikojnë pozitivisht në proces dëshmitë i tyre, duhet të pritet epilogu.
“Prokuroria i ka zhvilluar hetimet pa iu dhënë mundësinë mbrojtësve të pandehurve që t’i kundërshtojnë deklaratat gjatë procedurës së hetimit.Në këtë fazë të procedurës, kjo është fitore e mbrojtës, por vetëm pasi të merret vendimi për lirim apo dënim, do ta kuptojmë se në cilën anë është fitorja”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin, Gashi. Nga ana tjetër, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së thotë se dështimi i dëshmitarëve dhe provave të speciales ka bërë që në Kosovë të ketë valë të re bastisjesh e hetimesh. Deri më tani në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, kanë dëshmuar tridhjetë e dy dëshmitarë, teksa në rend janë me qindra të tjerë të ftuar nga Prokuroria.