Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësimin për rritjen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, teksa premtoi se aleanca veri-atlantike do të bëjë gjithçka në mënyrë që të ruajë stabilitetin në rajon.

“Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnje e Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, nga të cilët disa shumë rëndë. Gjithashtu kishim sulmin në Banjskë”- deklaroi Stoltenberg në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare.
“NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbajtur ose për të siguruar stabilitetin në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të tërë Evropën”- theksoi Stoltenberg, raporton REL.

Shefat e diplomacive të 31 shteteve anëtare të NATO-s në takimin që po mbahet në Bruksel më 28 dhe 29 nëntor, do të diskutojnë ndër tjerash edhe lidhur me situatën e sigurisë në rajon.