Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë këtë të premte gjithë vendin tonë. Stuhia e fortë e shoqëruar me erë të fuqishme ka shkaktuar probleme në qytete e rrugë nacionale.

Rruga e Arbrit ishte thuajse e pakalueshme për dy orë për shkak të vërshimit të ujit dhe dherave.

Drejtuesit e mjeteve janë përballur me befasi në shumë pika të kësaj rruge.

Për shkak të mungesës së kanaleve kulluese anësore i gjithë uji i shiut ka rënë në asfalt duke marrë me vete edhe dhera e gurë.

Ndërkohë uji është futur edhe brenda tuneleve në fshatin Shkallë. Po ashtu uji ka përmbytur urën e fshatit Fshat për shkak të mosfunksionit të sistemit kullues mbi urë dhe kanaleve që vijnë nga tunelet 2 dhe 3 në anën e fshatit Shkallë.

Drejtuesve të mjeteve që do të përdorin këtë aks rrugor në orët në vijim ju këshillohet të tregojnë kujdes pasi reshjet parashikohet të vazhdojnë.

Policia Rrugore do të jetë në monitorim të trafikut në këtë aks rrugor për të këshilluar drejtuesit e mjeteve në lidhje me rreziqet që mund të përballen gjatë udhëtimit në drejtim të Tiranës e anasjelltas.

Ndërkohë, rënie gurësh ka patur edhe në aksin tjetër nacional nga Burreli në Skuraj.