Sokol Cikalleshi, Ernest Muçi, Taulant Seferi dhe Cristian Shpendi arritën që të shënonin në ndeshjet e së shtunës që lamë pas. Në Turqi, Cikalleshi, edhe pse e nisi ndeshjen mes Konyasporit dhe Kasimpasas nga stoli, u kthye në njeriun e ndeshjes në momentin që u aktivizua. Sulmuesi kuqezi hyri në lojë në të 60-tën e katër minuta më vonë shënoi golin e parë për skuadrën e tij. I pesti në Superligën turke për kavajasin, i cili më pas shërbeu asistin e golit të dytë në të 77-ën. Deçiziv edhe Taulant Seferi në Emiratet e Bashkuara Arabe, teksa i dha tri pikët skuadrës së Bani Yas ndaj Hatta në minutën e 4 të kohës shtesë. 27-vjeçari nga Kumanova arriti që të realizojë golin e tretë në kampionat për këtë edicion.
Formë të mirë po kalon dhe Ernest Muçi në Poloni. Sulmuesi kryeqytetas luajti për 90 minuta në ndeshjen mes Legias dhe Warta Poznań. Muçi fitoi një penallti në fundin e pjesës së parë, ndërsa në fraksionin e dytë realizoi golin e barazimit për ti dhënë ekipit të tij 1 pikë.
Në Itali gjeti golin e tetë këtë sezon në Serie C, Cristian Shpendi, i cili vendosi suksesin minimal të Cesenas në fushën e Pescaras. Sulmuesi I 21-vjeçarëve të Shqipërisë po shkëlqen këtë edicion, duke qenë shënuesi më I mirë në Serie C. Kujtojmë se të premten arriti që të shënonte në La Liga edhe Myrto Uzuni, i cili po vion të bëjë mirë në Spanjë.