Në reportazhin e UEFA-s për Kombëtaren, trajneri Sylvinho ka thënë se duhet që besimi te lojtarët të jetë i madh, duke sjellë më pas edhe frytin e punës në fushë. Shqipëria luan të premte në orën 18:00 kundër Moldavisë në transfertë për sfidën e fundit kualifikuese në grupin E, teksa një pikë do i dërgonte kuqezinjtë edhe zyrtarisht në finalet e “Gjermani 2024″.
“Lojtarët duhet ta shijojnë dhe të jenë krenarë që përfaqësojnë vendin e tyre, kjo është mënyra e të punuarit. Megjithatë kur përfaqëson vendin, gjërat ndryshojnë dhe nuk është e njëjta mënyrë tradicionale e të punuarit. Ti e di që ke shumë përgjegjësi për të luajtur dhe gjithçka duhet të bëhet me zemër, sepse përfaqëson kombin. Kjo është diçka speciale për lojtarët dhe për trajnerin.”, tha fillimisht braziliani. Më pas ai u ndal edhe te besimi që ka te lojtarët e tij, duke thënë se është grupi ai që të jep rezultat.
“Guardiola dhe Wenger janë të jashtëzakonshëm. Nuk pretendoj të bëhem si ata. Bëj punën time si e mendoj unë. Futbolli ka ndryshuar shumë, por unë besoj tek organizimi i një ekipi”, tha Sylvinho.