Nga Ylli Aga

Përballja me Viktoria Plzen, nuk do të jetë një ndeshje e rradhës për Kampionët e Kosovës, Ballkanin, por një takim me historinë. Klubi nga Suhareka, që ka fituar gjithçka në sezonet e fundit në garat shtëpiake, do të provojë një rekord të ri në konkurimin në Europë. Aktualisht me 4 pikë në 4 ndeshjet e luajtura, Ballkani do të ketë si objektiv të parë të përmisojë rekordin e pikëve të grumbulluara në fazën e grupeve në sezonin e kaluar, por suksesi ndaj skuadrës çeke, do të mbante të gjalla shpresat për të tentuar diçka edhe më të madhe në ndeshjen e fundit në grup, në Zagreb për të tentuar të pamundurën, kalimin në fazën tjetër të Conferencë League.

Dhe të gjitha këto llogari, për herë të parë, një klub nga Kosova do t’i bëjë në stadiumin simbol të të gjithë shqiptarëve në Air Albania, në të cilin mirëpret edhe mbështetjen e të gjithë tifozëve për ta arritur suksesin historik.

Kjo ndeshje do të jetë gjithashtu speciale për trajnerin Ilir Daja, që pas gati dy vitesh do të rikthehet të drejtojë një skuadër në shtëpinë e tij, në Tiranë, aty ku ka zhvilluar pjesën më të madhe të karrierës së tij, me të veçantën se është i vetmi që ka mundur të drejtojë të treja klubet e kryeqytetit, Dinamon, Tiranën dhe Partizanin, teksa me blutë ka arritur të fitojë edhe një titull kampion në 2008.

Por, përballja e rradhës ndaj Viktoria Plzen, në program të enjten në 18:45, në AIR ALBANIA, do të jetë edhe më speciale për Ilir Dajën, pasi do të drejtojë Ballkanin në ndeshjen jubilare numër 100. Trajneri kryeqytetas, mori drejtimin e klubit nga Suhareka në fillimin e vitit 2022, duke e udhëhequr gjatë kësaj periudhe drejt sukseseve më të mëdha, dy tituj kampion, një Superkupë të Kosovës, dy pjesëmarrje rradhazi në fazën e grupeve të Conference Leagye, si dhe duke kontribuar në rritjen e vlerës së shumë futbollistëve, teksa disa prej tyre tanimë luajnë në kampionate më të rëndësishme, duke sjellur të ardhura të konsiderueshme për arkat e klubit.

Në 99 ndeshjet e deritanishme, Ballkani në drejtimin e Ilir Dajës numëron 62 fitore, 19 barazime dhe vetëm 18 humbje, me golavarazhin e përgjithshëm 183 gola të shënuar dhe 74 të pësuar. Në garat vendore, në 73 ndeshje, mes kampionatit, Kupës dhe Superkupës, bilanci është 49 fitore, 16 barazime dhe 8 humbje, me golavarazhin 136 të shënuar dhe 45 të pësuar. Ndërsa në konkurimin në Europë, në 26 ndeshje, janë arritur 13 fitore, 3 barazime dhe 10 humbje me golavarazhin pozitiv 47 të shënuar dhe 29 të pësuar.

Në stolin e Ballkanit, Ilir Daja ka fiksuar përiudhën më të sukseshme të karrierës së tij si trajner, të cilën nga mbrëmja e të enjtes në Air Albania, ka mundësinë ta pasurojë akoma më shumë dhe për këtë shpreson edhe në ndihmën e tifozerisë së kryeqytetit të të gjithë shqiptarëve.