8 humbje në 15 ndeshjet e fundit dhe dy humbje radhazi me rezultatin 3-0, kanë shkaktuar furtunë tek ekipi i Manchester United. 20 herë kampionët e Anglisë gjenden në një situatë të pakëndshme dhe trajneri Erik ten Hag ndien lëkundjen e pankinës pas rezultateve të dobëta në fushën e lojës. Në ndeshjen e radhës ndaj Fulhamit në ”Craven Cottage”, fitorja konsiderohet detyrim.
Në prag të përballjes hapëse të javës së 11-të të Premier League, sfidë që do të transmetohet në SuperSport 2 (e shtunë, 13:30), Erik ten Hag foli në konferencën për shtypin, i vetëdijshëm për përgjegjësitë që ka mbi supe. Holandezi artikuloi qartë se skuadra do ta kapërcejë këtë moment negativ.
“Të gjithë janë të vendosur për t’u kthyer në ecurinë pozitive. Lojtarët janë të fortë, dhomat e zhveshjes janë të forta dhe trajneri është i fortë. Gjatë kësaj periudhe, lojtarë kanë qëndruar pozitivë. Ata duan që të hedhin sa më parë pas krahëve këtë moment. I dimë standardet e mëdha të Manchester United. Kemi pësuar dy humbje radhazi, por do të luftojmë për t’u rikthyer aty ku na takon“, u shpreh tekniku holandez.
Shpeshherë gjatë edicionit aktual, United ka dështuar për të treguar një identitet të qartë loje, duke vuajtur për të kontrolluar shumicat e ndeshjeve dhe duke u ekspozuar shumë në repartin e mbrojtjes. Megjithatë, Ten Hag theksoi që po punohet në këtë drejtim, në mënyrë që interpretimi në fushë të jetë sa më i mirë.
“Nuk mund të thuhet që nuk kemi bërë lojë të mirë. Qëllimi ynë është i qartë, por ndonjëherë ka munguar interpretimi i saktë në fushë. Në situatën që ndodhemi, kemi shumë lojtarë të dëmtuar. Na mungon një pjesë e madhe e prapavijës dhe jemi detyruar të improvizojmë në çdo ndeshje. Kam ardhur këtu me një filozofi të qartë, të bazuar në mbajtjen e topit, por edhe me kombinimin me ADN-në e Manchester United“, përfundoi 53-vjeçari.