Agjencitë e OKB-së thonë se kriza humanitare në Rripin e Gazës po thellohet ndërsa numri i vdekjeve të civilëve vazhdon të rritet, vrasja e punonjësve humanitarë të Kombeve të Bashkuara ka arritur në nivele të pashembullta, lagje të tëra janë rrafshuar nga bombardime të pamëshirshme dhe miliona njerëz nuk janë në gjendje të marrin ushqim, ujë dhe ilaçe të mjaftueshme.
“Nëse sot ka një ferr në Tokë, emri i tij është Gaza veriore. Njerëzit që kanë mbetur atje përballen me rrezikun nga vdekja, dëshpërimi, shpërngulja dhe errësira”, tha Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
“I gjithë Rripi i Gazës është zhytur në errësirë që nga 11 tetori, kur u shkyç rrjeti elektrik dhe u ndalua hyrja e karburantit”, tha ai të premten.
Forcat izraelite vendosën një bllokadë totale në Rripin e Gazës pasi luftëtarët e Hamasit kryen një sulm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 1400 njerëz.
Hamasi gjithashtu mori rreth 240 pengje gjatë sulmit dhe vazhdon të kryejë sulme me raketa ndaj Izraelit.
Ndërsa Izraeli hoqi pjesërisht rrethimin e Gazës më 21 tetor, ai vazhdon të mos lejojë hyrjen karburantit, me argumentin se Hamasi do ta përdorte atë për qëllime ushtarake.
Shtetet e Bashkuara njoftuan se Izraeli ka rënë dakord për një pauzë katër-orëshe të përditshme humanitare të luftimeve për të lejuar civilët të largohen nga Gaza veriore dhe për të lejuar hyrjen e kamionëve me ndihma për civilët palestinezë.
Zoti Laerke tha se do të jetë e pamundur që brenda katër orësh të dërgohen ndihma të mjaftueshme në Rripin e Gazës përmes vendkalimit kufitar në Rafah, i cili, sipas tij, është “ndërtuar për kalimin e këmbësorëve, jo të kamionëve.”
“Vendkalimi në Kerem Shalom është ndërtuar për kalimin e kamionëve. Ne u kemi bërë thirrje autoriteteve në Izrael, që ky vendkalim të rihapet dhe të përdoret për dërgimin e ndihmave”, tha ai.
Ai vuri në dukje të enjten se 65 kamionë që transportonin ushqime, ilaçe dhe ndihma të tjera kaluan nga Egjipti në Rripin e Gazës përmes vendkalimit në Rafah, duke e çuar në 821 numrin e kamionëve me ndihnma humanitare që kanë hyrë në Rripin e Gazës që nga 21 tetori.
Ai tha se para 7 tetorit, rreth 500 kamionë me ndihma hynin në Rripin e Gazës në çdo ditë pune. Tani, ai thotë se “është e vështirë për punonjësit e ndihmave dhe për kamionët me ndihma që të hyjnë në Gazë. Dhe së dyti, Gaza jugore nuk është e sigurt.”
Organizata Botërore e Shëndetësisë është dakord me këtë vlerësim. Ajo thotë se 20 nga 36 spitalet në Rripin e Gazës nuk funksionojnë më dhe se 16 prej tyre që vazhdojnë të funksionojnë po ofrojnë vetëm minimumin e shërbimeve.
“Spitalet nuk kanë furnizime adekuate me ilaçe dhe janë të mbipopulluara”, thotë zëdhënësja e OBSH-së Margaret Harris.
“Ne jemi gati të dërgojmë ekipe mjekësore emergjente në Rripin e Gazës për të mbështetur sistemin shëndetësor, por nuk ka qasje të sigurt. Askund nuk ka siguri”, tha ajo. “Shikoni numrin e madh të kolegëve të Agjencisë Humanitare të OKB-së për Refugjatët Palestinezë, që janë vrarë”.
Agjencia Humanitare e OKB-së për Refugjatët Palestinezë thotë se më shumë se 100 punonjës të saj janë vrarë në Rripin e Gazës.
“Kjo është e pashembullt. Numri i personelit të vrarë në një periudhë kaq të shkurtër kohore është i pashembullt në historinë e OKB-së”, tha Rolando Gomez, zëdhënës i zyrës së OKB-së në Gjenevë.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk, tha se vdekja e anëtarëve të personelit të Agjencisë Humanitare të OKB-së për Refugjatët Palestinezë është “zemëruese dhe shumë e rëndë”.
Zoti Türk foli të premten për situatën në Izrael dhe territoret palestineze në një konferencë shtypi në Aman, në fund të misionit të tij në Egjipt dhe Jordani.
“Është e qartë se paqja dhe siguria e qëndrueshme nuk mund të arrihet me zemërim, duke u shkaktuar dhimbje njerëzve që nuk kanë përgjegjësi për krimet që janë kryer”, tha ai.
“Sulmet mizore të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor duhet të zemërojnë secilin prej nesh. Duhet të ketë drejtësi, llogaridhënie dhe zgjidhje për viktimat e këtyre krimeve mizore. Pengjet duhet të kthehen në shtëpi dhe hedhja pa kriter e raketave drejt Izraelit duhet të ndërpritet”, shtoi ai.
Por, zoti Türk tha gjithashtu se bombardimet në shkallë të gjerë të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, në zonat me popullsi të dendur, që po sjellin “pasoja shkatërruese humanitare dhe shkelje të të drejtave të njeriut” duhet të ndalen menjëherë dhe Izraeli duhet t’i japë fund përdorimit të metodave dhe mjeteve të tilla të luftës.
Ai tha se sulmet ndaj spitaleve dhe në afërsi të spitaleve në qytetin e Gazës kanë qenë intensive, duke vënë në dukje se ligji ndërkombëtar humanitar thekson qartë se njësitë mjekësore duhet të mbrohen dhe respektohen në çdo kohë.
“Përdorimi nga grupet e armatosura palestineze i civilëve dhe objekteve civile për t’u mbrojtur nga sulmet është në kundërshtim me ligjet e luftës”, tha ai.
“Por një sjellje e tillë nga grupet e armatosura palestineze nuk e shfajëson Izraelin nga detyrimi i tij për të mos dëmtuar civilët”, tha ai, duke shtuar, “është absolutisht e qartë se ligji ndërkombëtar thotë se civilët, kudo që ndodhen, duhet të mbrohen”./VOA