Indrit Tuci ishte i ftuari special nëpërmjet një lidhjeje direkte me emisionin “Analizë Kuqezi”, ku foli për momentin që po kalon në kampionatit kroat me Lokomotivën e Zagrebit, si dhe objektivat për të ardhmen.

Si e ndien veten në këto momente?

Po stërvitem mirë, po shënoj shpresoj të vazhdoj kështu.

Në cilin pozicion ndihesh më mirë, si sulmues i parë apo si numër 10?

Më mirë në majë të sulmit, por edhe si numër 10 jam mirë, s’e kam problem. Sezonin e kaluar nuk kam luajtur në vazhdimësi për arsye dëmtimesh. Në fillim të sezonit bëra fazë të mirë dhe po luaj në vazhdimësi.

Çfarë të mungon për të bërë hapin tjetër në karrierë?

Është çështje kojë me formën që po tregoj. Sigurisht dua të shkoj diku ku të luaj, jo të qëndroj në stol. Preferoj që të largohem që në janar, të kem më shumë kohë për t’u përshtatur. Ka pasur ca interesime të vogla, por nuk po fokusohem aty, e ka mendjen në fushë. Më mirë t’ia lëmë kohës.

Je formuar në Shqipëri tek Akademia e Futbollit. Kush u bë shkak që të transferoheshit në Kroaci?

Kam luajtur me profesor Alban Bushin tek Akademia e Futbollit. Pesnik Prenga erdhi nga Kroacia dhe më pa, më dërgoi tek U-19 e Lokomotivës, ku luajta si mesfushor për 6 muaj. Pastaj trajneri aty më tha që më sheh si numër 9. Kampionati kroat ka treguar që ka shërbyer si trampolinë për futbollistët shqiptarë… Tani është momenti i duhur për të lëvizur. Puna që bëjnë kroatët me të rinjtë është për t’u marrë shembull. Fitojnë miliona nga transferimet.

Flasim për Kombëtaren. Çfarë shije të ka lënë me rezultatet e saj?

Po na bëjnë krenarë, kemi dy ndeshje të fundit dhe shpresoj që të jemi në Evropian. Do të doja të isha, por sigurisht që vendos trajneri. Unë do të jem gati, nëse trajneri mendon se mund t’i shërbej.

Synimi i çdo lojtari është të luajë me Kombëtaren, sidomos kur luan në Evropian. Është ëndrra e çdo lojtari, dua të vazhdoj me këtë ritëm, jam gati dhe po pres. Dua që Kombëtarja të ketë sa më shumë suksese.

Mersinaj mori një ftesë të papritur, futbollit nuk i dihet…

Ajetit i uroj shërim sa më të shpejtë. Ne jemi në pritje, trajneri e di kë duhet të thërrasë.

Cilin kampionat do të preferoje nëse largohesh nga Kroacia?

Ndjek kampionatin italian që i vogël, besoj se do të më përshtatej me shumë. Nuk ka rëndësi se në cilën skuadër në Itali.