Ministrja e Infrastrukturës i shpjegon kryeminstrit gjatë inspektimit që bën rrugës për në Dibër se po punohet me rritje shumë të ulëta pasi përbërja e tokës kërkon përforcime speciale të strukturës përpara se të bëhet veshja përfundimtare me beton.
“Do na shkatërrojë nervat duke ecur aty si miliongona”, thotë kryeministri Rama.

Ndërkohë, për ta lidhur Rrugën e Arbrit me Peshkopinë po punohet për një tjetër aks, atë Maqellarë-Peshkopi. Rruga e re do të shkurtojë distancën me afro 3 km dhe pritet të përfundojë verën e vitit të ardhshëm.

“Sot është një rrugë prej 11 kilometrash dhe ne e shkurtojmë në 8.4”, shprehetzëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Një tjetër investim që ka përfunduar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është dhe rruga që lidh qytetin e Peshkopisë me fshatin Rabdisht, zona e njohur për Lixhat e Dibrës. Kryeministri kërkon që administrimi i ujërave termale në këtë zonë, t’i jepet një operatori privat të huaj.

“Ujërat termale në asnjë vend nuk i mban shteti, janë operatorë që bëjnë atë punë”, deklaron Rama.

Rruga e Arbrit ka nisur në 2009 nga Qeveria Berisha dhe pas disa ndërprerjesh në 2018, ju dha me koncension një kompanie private. Prej 29 Nëntorit të 2021-shit, rruga në pjesën më të madhe të saj është hapur, e vetmja nyje ku vijon puna, mbetet Tuneli i Murrizit.