Fëmijët e Silvio Berlusconit, trashëgimtarë të pasurisë së ish-kryeministri italian që vdiq në qershor, do të ndërpresin ndihmën mujore financiare që manjati u dha 20 të vajzave të reja që merrnin pjesë në festat e tij, të njohura si “Bunga Bunga”, në rezidencën e tij në Arcore, afër Milanos.

Sipas “Corriere della Sera”, krahas kësaj, vajzat do të humbasin edhe apartamentet falas që Berlusconi u kishte dhënë.

Një agjenci imobiliare e autorizuar nga trashëgimtarët e ish-presidentit italian u ka dërguar një letër vajzave që kanë marrë pjesë në festat e famshme në Arcore, ku njofton ndërprerjen e këtyre përfitimeve “për shkak të vdekjes”.

Por përveçse duhet të kthejnë apartamentet para datës 31 dhjetor, vajzat e Via Olgettinas, në Milano siç i quan shtypi italian, humbasin edhe pagesën mujore prej 2500 eurosh të dhënë nga Berlusconi në të gjitha vitet e mëparshme.

Ishte vetë Berlusconi ai që pranoi në vitin 2013 në një nga seancat e procesit në të cilin u gjykua për ryshfet për dëshmitarët në çështjen Ruby, se i kishte dhënë secilës prej vajzave nga 2500 euro në muaj për darkat dhe festat e “Bunga Bunga”.

Sipas raportimit të “Corriere della Sera” vlerësohet se që nga marsi i vitit 2012, Berlusconi kishte paguar për vajzat gati 11 milionë euro.

Shtatorin e kaluar, pesë fëmijët e Silvio Berlusconit arritën një marrëveshje për të ndarë trashëgiminë e politikanit dhe biznesmenit italian, i cili u nda nga jeta qershorin e kaluar, sipas raportimeve në shtypin italian.

Siç shkruante gazeta italiane Il Messaggero, vajza e madhe e Berlusconit, Marina, dhe djali i tij i madh, Piersilvio, në përputhje me dëshirën e babait të tyre, marrin 60% të të gjithë pasurisë së tij. Tre fëmijët më të vegjël, Eleonora, Barbara dhe Luigi, të cilët “Z. Tivi” i kishte marrë nga martesa me Veronica Lario, ranë dakord të merrnin 40% të mbetur.