Milano ka përjetuar skena të frikshme dhune në orët e vonë të së hënës, pasi janë përplasur me sende të forta tifozët ultras të Milanit dhe ato të Paris SG. Kjo pasi në axhendë këtë martë është ndeshja e Champions League dhe dy javë më parë episode të tilla, por në masë më të vogël janë shënuar edhe në Paris.
Tifozët ultras të Milanit, të veshur me të zeza, kanë sulmuar francezët të cilët ndodheshin në lokale. Një prej tyre ka marrë dy plagë me thikë dhe për pasojë është shtruar me urgjencë në spital, ndërsa në sherre u përdorën edhe bomba molotof. I plagosur mbeti edhe një polic, ndërsa situata mori kohë që të qetësohej. Sipas mediave italiane në sherre janë përfshirë më shumë se 100 tifozë.