Dy sulmues palestinezë hapën zjarr në një stacion autobusi gjatë orës së trafikut të mëngjesit në hyrje të Jeruzalemit, duke vrarë të paktën tre persona dhe duke plagosur tetë të tjerë, njoftoi policia izraelite.
Dy sulmuesit u neutralizuan nga forcat e sigurisë dhe një civil aty pranë. Përgjegjësinë e sulmit e mori Hamas, i cili tha se dy agresorët e vrarë janë anëtarë të tij. Në komunikatën e autorësisë thuhet se përshkallëzimi i rezistencës do të vazhdojë si hakmarrje ndaj sulmeve izraelite dhe trajtimit të të burgosurve palestinezë.
Dhuna erdhi pasi Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje të minutës së fundit të enjten për të zgjatur armëpushimin e tyre gjashtë-ditor në Gaza, me një ditë më shumë për të lejuar negociatorët të vazhdojnë të punojnë për marrëveshjet për shkëmbimin e pengjeve. Kjo është zgjatja e dytë e armëpushimit fillestar katër-ditor që filloi të premten e kaluar që ka rezultuar në kthimin e 70 izraelitëve sipas marrëveshjes. Në këmbim, 210 palestinezë janë liruar nga burgjet izraelite, thanë zyrtarët. Sekretari amerikan i shtetit Entoni Blinken u takua në Tel Aviv me presidentin Isak Hercog, ku deklaroi se lirimi i pengjeve izraelite duhet të vazhdojë. Më tej në një takim me kabinetin e luftës u diskutuan hapat e mëtejshëm.
“Ju shpreh vlerësimin tonë për mbështetjen në luftën për eliminimin e Hamas dhe lirimin e pengjeve. Keni qenë shumë, shumë të dobishëm. Tani do të flasim për fazën tjetër të asaj se çfarë do të bëjmë më tej”, tha kryeministri i Izraelit, Netanyahu.