Ermal Cane duket se kohët e fundit kishte vetëm një ‘mision’ në jetë: të përndiqte ish-të dashurën 24-vjeçare. E jo vetëm kaq. Ai edhe e kishte dhunuar e kërcënuar, që e reja të tërhiqte kallëzimin që kishte bërë ndaj tij disa ditë më parë. Për të gjitha këto, 33-vjeçari nga Lushnja përfundoi në prangat e policisë së Tiranës.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të tyre, pas kallëzimit të bërë nga një shtetase 24-vjeçe se ish i dashuri i saj e kishte përndjekur në mënyrë të vazhdueshme, kishte ushtruar dhunë ndaj saj dhe e kishte kanosur për të tërhequr kallëzimin që ajo kishte bërë ndaj tij, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Following”. Në kuadër të këtij operacioni, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë, u bë kapja dhe ndalimi i Ermal Canes, 33 vjeç, banues në Lushnje. Ky shtetas dyshohet se ka përndjekur 24-vjeçaren, ka ushtruar dhunë ndaj saj dhe e ka kanosur që të tërhiqte kallëzimin që ajo ka bërë ndaj tij, disa ditë më parë”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.