Nga VILMA HOXHA – Dhjetori është muaji i festave, shkëmbimeve të dhuratave dhe i bilanceve për muajt që lamë pas. Çfarë shkoi dhe çfarë nuk shkoi në këto 12 muaj!

Por trendi i “kohëve moderne” tashmë mban një emër tjetër.

Kush e kush të “shkëlqejë” më shumë në Instagram, një garë e nxehtë se kujt do t’i lakohet më shumë emri për super bredhin madhështor pranë oxhakut të shtëpisë të dekoruar plot sharm.

E teksa garojnë me njëri-tjetrin, për të marrë “like”, “followers” apo përfitimet e tyre harrojnë ndjekësit e tyre, ku shumë mund të mos kenë jo vetëm për të blerë bredhin madhështor e të zbukuruar, por as për të mbushur frigoriferin me ushqime për festa.

Këtu nis e gjithë beteja! Pse ai/ajo ta ketë dhe unë jo?

Po të marr një minikredi, një borxh për ta pasur pemën dhe unë si ajo…(siç shumë të tjerë marrin kredi për të blerë celularë dhe makina).
Krimbi që të gërryen për të pasur “jetën luksoze” të Instagramit që në shumicën e rasteve nuk është as “jetë reale” tashmë ka mbërthyer të vogël e të madh.

E në luftën e kësaj gare luksi, ku të pasurit paguajnë për fasadën ata që humbasin janë të varfrit, sepse po humbasin magjinë e festave, ngrohtësinë qoftë edhe të një bredhi të zbukuruar me pambuk e me shirita letre, por që jep shumë dashuri.

Vitet e fundit pema e Krishtlindjeve apo e Vitit të Ri ka filluar të ndezë dritat një muaj më parë në shtëpitë tona, për të mos thënë që influencerat janë në “luftë” të vazhdueshme se cila e fillon më shpejt këtë “sfidë”.

Nga ana tjetër kjo lloj “sfide” ka bërë që ngrohtësia e festave të vijë më herët dhe realiteti i kohëve që sot po jetojmë të përtypet më lehtë.

Ndezja e dritave të “bredhit” kaq herët a është dëshira për të shijuar sa më gjatë periudhën festive apo edhe simboli i festave është përfshirë në tregun e komercializmit?

Nga bredhi natyral në atë artificial dhe së fundmi drejt trendit të pemës “Barbie”, janë disa nga postimet virale që të bëjnë të reflektosh; Jetojmë për fasadën gjatë festave të fundvitit apo vërtet e kemi shpirtin e festës edhe nëse nuk kemi bredhin e bukur shumëngjyrësh që merr “like” apo që bëhet viral.

Shumë se kanë luksin ta blejnë bredhin, pasi ai sot kushton më shumë sesa bonusi që morën pensionistët, aq më tepër nëse zgjedh të kesh një bredh natyral.

Prandaj a nuk do ishte më mirë që para se të shkëlqejmë në Instagram të kishim diçka më të lirë dhe pak t’ua shpërndanim atyre që s’kanë për të ndjerë magjinë e festave?!

*Gazetare e programit të mëngjesit “Wake Up” në Top Channel