Nga Edmond Arizaj

Nano u burgos në lindje të jetës politike, Berisha e rrezikon në fund të jetës politike.

Nano bëri plot katër vite në birucë, Berisha maximumi pak ditë mund të bëjë.

Nano u arrestua edhe me vullnet dhe dëshirë të Berishës, Rama mund të ketë kënaqësi, por as dëshirë e as vullnet për arrestimin e Berishës.

Nano hyri në burg pa “njolla” me SHBA-të, Berisha rrezikon dënimin edhe me damkën “i padëshiruar” nga SHBA.

Burgu i Fatos Nanos e mbajti PS të bashkuar, arrestimi i Berishës mund ta shpërbëjë fare PD.

Burgu i Fatos Nanos shkaktoi reagime dhe kundërshtime nga komuniteti ndërkombëtar, akuzat ndaj Berishës deri më sot nuk kanë shkaktuar as ndonjë mesazh mbështetje në watsap (për aq sa dihet).

Burgu i Fatos Nanos shkurtoi ditët në pushtet të PD, arresti i Berishës nuk i luan asnjë orë pushtetit të PS.

Fatos Nano pas burgut u bë kryeministër, Berisha…

PS e ktheu burgun e Nanos në kauzë, PD mezi pret burgun e Berishës për t’u çliruar.

Nano u dënua për korrupsion dhe ju quajt burg politik, Berisha akuzohet dhe rrezikon dënim për korrupsion, pothuaj pa mundësi rehabilitimi (burg politik).

Fatos Nano në herën e parë që humbi, mbylli hesapet dhe dorëzoi partinë, Berisha po mbyll partinë dhe nuk dorëzohet.

Nanon nuk e braktisi askush kur hyri në burg, Berishës sot i kanë mbetur vetëm pak besnikë.

Socialistët dikur e kuptuan se burgu i Nanos ishte shpëtim për ta…demokratët nuk po e kuptojnë.

Protestat e PS për burgun e Nanos kanë qenë të forta, … të PD do i shohim të hënën.

Nano dhe Berisha mbiquheshin deri në 2005 dinozaurë të politikës. Normalisht vetëm Nano duhet të quhet i tillë, Berisha ende nuk është “zhdukur” dhe ndoshta ka shanse t’i qëndrojë edhe ”meteorit” SPAK.