Në prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2024, me fokus te arsimi dhe kultura, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ndal te projekti i Teatrit të Ri, Muzeu i Artit Modern, Muzeu Etnografik, Qendra e Panaireve, Teatri i ri i Kukullave etj.

“Teatri i Ri Kombëtar është konceptuar jo vetëm me një sallë të madhe, por edhe me salla të tjera, më të vogla, që mund të jepen për aktivitete, me salla pritje etj. Nëse na mban koha, themelet e teatrit i hedhim këtë dimër, duke qenë se ka një volumetri masive. Plani është që teatrin ta përfundojmë deri në 2026-n, për të pasur hapësirën më të bukur për art dhe kulturë në vend. Njësoj si me stadiumin, i cili përdoret gjatë gjithë javës, na duhet të kemi shumë aktivitete shtesë”, tha Veliaj.

Që nga Muzeu Etnografik i Tiranës e deri te rikonstruksioni i Teatrit të Kukullave, kryebashkiaku foli edhe për projekte të tjera sa i përket artit dhe kulturës në Tiranë.

“Te Sarajet do të jetë Muzeu Etnografik i Tiranës. Tirana ka kulturë, ka veshje, ka etnografi, ka një histori të jashtëzakonshme. Duam që, përveçse të jetë një muze, të jetë edhe atelie për fëmijët. Ajo që pashë është se te Parada e Shqiptarëve më shumë nga të gjithë gëzoheshin fëmijët. Tani duam që ajo eksperiencë e asaj dite, të jetë një eksperiencë e përhershme te Muzeu i Tiranës. Mezi pres të fillojmë punën dhe të kemi një stacion tjetër brenda Unazës së Tiranës, për t’u vizituar. Po përgatitemi për Muzeun e Artit Modern. Siç e dini, kemi një hapësirë të dedikuar te fundi i Bulevardit të Ri. Duam që Tirana të jetësohet në të gjitha cepat e saj. Duam që, Qendra e Panaireve dhe Muzeu i Artit Modern të zhvendosen te Bulevardi i Ri”, u shpreh ai.

Në fund, Veliaj shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që punuan për organizimin e një eventi aq të madh në Tiranë, siç ishte Nata e Bardhë, kur tha se njerëzit panë kartolinën e një Tirane jo perfekte, por të një Tirane që është shumë më mirë se ç’ka qenë.