Gjithnjë e më shumë njerëz kalojnë gjithnjë e më shumë kohë me celularë, dhe fokusimi në to po u merr gjithnjë e më shumë kohë . Në SHBA kanë nisur proceset e para gjyqësore kundër Facebook & Co.
Ah, sa të lexoj edhe këtë postim! Jo dhe aq interesante? Atëherë më poshtë, me siguri që përmbajtja tjetër është edhe më interesante. Kush qarkullon në X (Twitter), Facebook ose TikTok i njeh mirë këto impulse dhe e di mirë se si nga një impuls sa-të-hedh-një-sy bëhen një ose dy orë. Mediat sociale janë të kudogjendura. Në smartphone ose kompjuter, kur ndodhemi në punë ose në kohën e lirë, ne bisedojmë, bëjmë postime ose konsumojmë përmbajtje të ndryshme që ofrohen prej të tjerëve. Kjo ka edhe anën tjetër të medaljes. Sepse numri i njerëzve që konsumojnë pa masë mediat sociale, është duke u rritur vazhdimisht.
Vetëm në Gjermani mbi gjashtë përqind e fëmijëve dhe të rinjve janë të varur nga mediat. Një studim i publikuar në pranverë të vitit 2023, studim i kryer nga ndërmarrja e sigurimeve shoqërore, DAK, thotë se ky problem ka prekur mbi 600 mijë djem dhe vajza. Tek më shumë se dy milionë të rritur, konsumimi i mediave është “problematik”. Ata kalojnë tri deri katër orë çdo ditë para një ekrani, shumë më tepër se para periudhës së pandemisë së Coronës.
Me përfitim apo dëm?
A janë pra rrjetet sociale djalli vetë? “Roli i tyre është të paktën ambivalent”, thotë Tobias Dienlin, profesor për komunikimin interaktiv në Universitetin e Vjenës.
“Ka shumë përmbajtje të kota, por ka edhe përmbajtje prej të cilave përfitojmë. Dhe njeriu mund t’i përdorë mediat sociale në mënyra të ndryshme: Njeriu mund t’i përdorë gjërat sa për konsum, por mund t’i përdorë ato edhe në mënyrë aktive për të komunikuar me të tjerët dhe për të ruajtur marrëdhëniet.”
Sa kohë që këto bëhen me masë, çdo gjë është në rregull. Kur fillon përdorimi pa masë, atëherë për disa konsumatorë kjo gjë kthehet në problem. Deri tani nuk ka pasur ndonjë përkufizim mjekësor për varësinë nga mediat sociale.
“Por meqenëse nuk ekziston diagnoza, nuk do të thotë se fenomeni nuk ekziston,” thotë Dienlin. Kur përdorimi i mediave bëhet aq i tepruar, saqë njeriu nuk arrin të bëjë punët e tjera të rëndësishme, kur njeriu vetë do që të përdorë më pak mediat sociale, por nuk është në gjendje ta bëjë këtë, kur marrëdhëniet sociale lihen pas dore, atëherë mund të themi se kemi të bëjmë me varësi, thotë studiuesi i mediave.
Algoritme tërheqëse
Pjesa më e madhe e mediave sociale punojnë sipas parimit të joshjes së shpejtë dhe shpërblimit. Like-t dhe Emoji-t kujdesen për konfirmimin e pozitives, dhe nëse një përmbajtje nuk pëlqehet atëherë shkohet menjëherë tek përmbajtja tjetër “Futja në përdorim e vajtjes në fund të faqes pa vendosur kufi ka bërë që njeriu të mos jetë kurrë në gjendje të mbarojë me të lexuarin, sepse gjithnjë i vihet përpara përmbajtje e re,” shpjegon Tobias Dienlin.
“Kjo gjë është natyrisht nxitje ekstreme për krijim varësie, sepse njeriut i duhet të bëhet vetë aktiv për t’u shkëputur nga ekrani. Kur lexon një libër dhe arrin në fund të tij, atëherë libri ka mbaruar. Edhe emisionet televizive kanë një fund, por përmbajtjet online nuk kanë fund.”
Algoritmi i shumë mediave sociale kujdeset ekstra që ne si konsumatorë të na serviren përpara përmbajtje gjithnjë e më të përshtatura me interesat që kemi, gjë që e bën të vështirë ndalimin e konsumimit në kohën e duhur.
Të prekshëm veçanërisht nga varësia prej mediave janë sidomos njerëzit që kanë probleme në fusha të tjera.
“Ata që kanë dobësi në kontrollimin e impulseve, ata që e kanë të vështirë të organizojnë jetën e tyre të përditshme, e kanë edhe më të vështirë me mediat sociale,” thotë Dienlin.
Dhe për njerëzit e vetmuar, të tërhequr, ose njerëzit me depresione konsumi i tepruar i mediave paraqet një mundësi për t’iu larguar realitetit: “Sepse me anë të tyre ne kemi mundësi të rregullojmë humorin dhe t’i japim fund gjendjes së pakëndshme”, shpjegon studiuesi nga Vjena i mediave.
“Kur unë nuk di çfarë të bëj, kur jam i mbingarkuar ose kur më vjen turp, kur më vret ndërgjegja për diçka, atëherë unë marr celularin dhe konsumoj media sociale dhe kështu dal nga gjendja. Aty për aty.”
Nga ana tjetër konsumimi i tepruar i mediave mund të shkaktojë keqësim të sëmundjeve psiqike ekzistuese si depresione ose çrregullime të marrjes së ushqimit, kur përshembull kërkohen aktivisht përmbajtje të përshtatshme dhe nëpërmjet algoritmit të mësuar të medias sociale
SHBA: Akuzë e përbashkët kundër koncerneve të teknologjisë së informacionit
Në SHBA ndërkohë qindra familje kanë bërë bashkë një akuzë kundër katër koncerneve më të mëdhenj të teknologjisë së informacionit: Ata akuzojnë koncernin mëmë të Facebookut, Meta, prodhuesin kinez të Tik-Tokut, ByteDance, ndërmarrjen përgjegjëse për YouTube, Alphabet und Snap, dhe prodhuesin e Messengerit, Snapchat, se jo vetëm që nuk e kanë marrë parasysh krijimin e varësisë nga mediat sociale të fëmijëve të tyre, por e kanë nxitur atë madje në mënyrë aktive. Shumë rrethe shkollore amerikane i janë bashkangjitur akuzës.
Paditësit akuzojnë koncernet mes të tjerash, se nuk kanë vënë në jetë mënyra të sigurta për verifikimin e moshës dhe se mekanizmat që përdorin për kontrollin e prindërve janë të pamjaftueshme. Përveç kësaj, konsumatorëve iu vështirësohet në mënyrë të panevojshme shuarja e llogarive që kanë hapur në mediat sociale.
Për një kohë të gjatë ka qenë e paqartë nëse mund të hapet në përgjithësi një proces i tillë gjyqësor. Koncernet e teknologjisë së informacionit i kanë kthyer mbrapsht akuzat si të paargumentuara. Por në mes të muajit nëntor një gjykatëse federale amerikane, e quajti akuzën të lejueshme për të filluar një proces gjyqësor.
Por sa kuptim ka hedhja e një hapi të tillë? Studiuesi i mediave Dienlin është i dyjëzuar: “Një proces i tillë krijon tërheqje vëmendjeje, dhe sipas mendimit tim kjo nuk është keq. Megjithatë, është si gjithnjë një kompromis. Nëse ata që ofrojnë shërbimin e bëjnë shërbimin edhe më tërheqës, gjë që është parimi dhe synimi i çdo ndërmarrjeje fitimprurëse, ata automatikisht nxisin edhe faktorin e krijimit të varësisë. Konsumatorit nuk mund t’i merret krejt përgjegjësia për këtë gjë. Prandaj duhen bërë të dyja: Duhet bërë optimalizimi i teknikës dhe njëkohësisht duhen informuar dhe ndihmuar konsumatorët.”
Strategjitë kundër krijimit të varësisë
Më e rëndësishmja është të shihet vazhdimisht me sy kritik përdorimi i mediave për vete dhe për fëmijët.
“Të flitet për këtë problem me gjithë familjen, të ushtrohet mospërdorimi i përbashkët i mediave, pa thënë menjëherë “mediat sociale janë krejt plehra”.
”E rëndësishme është të jetë e kufizuar koha që kalohet me mediat, dhe largimi për një kohë të caktuar nga celulari edhe fizikisht. Dhe e rëndësishme është që të mësohen sërish alternativat e tjera përveç përdorimit të smartphonit.”
Studiuesi i mediave Dienlin përmend këtu lëvizjet, sportin, hobbies, miqtë ose angazhimin vullnetar.
“Nuk është e rregullt të mendosh se ka të bëjë me mediat sociale kur dikush nuk ndihet mirë. Shpesh varësia nga smartphone është shprehje e një problemi tjetër, shprehje që tregon se mund të dalin probleme të tjera.”
Të kuptosh këtë gjë, është shpesh hapi i parë për të dalë nga varësia prej smartphonit./DW