Çështja “Beleri” vijon të mbetet e nxehtë aq sa prodhoi një diskutim të tensionuar Mitsotakis-Rama në margjinat e Samitit të fundit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.
“Akujt” në raportin Tiranë-Athinë duken të vështirë për t’u thyer, teksa Mitsotakis i meshon vetos greke për negociatat dhe Rama bën “be” mbi drejtësinë e pavarur, të cilës nuk mund t’i imponohet askush. Në këto kushte, duket se ka një shqetësim në opinionin grek për faktin se ndryshe nga herët e tjera Perëndimi, pra aksi BE-SHBA mbështet kryeministrin shqiptar duke kërkuar t’i japin një zgjidhje krizës.
Këtë më së miri e ka shprehur gazeta greke “Kathimerini” në një koment të zgjeruar mbi çështjen Beleri, ku analizon veton e Greqisë ndaj Shqipërisë dhe rolin e kryeministrit Edi Rama. Në artikull nënvizohet se Bashkimi Europian nuk është me Greqinë në çështjen Beleri, e në veçanti kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili e ka shprehur hapur qëndrimin e tij, se betimi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës dhe hetimi për të është çështje e drejtësisë. “Kathimerini” rreket t’ia atribuojë influencës së Ramës dhe bllokadës së tij ndaj islamizmit të Erdogan (edhe pse e ka mik Presidentin turk), mbështetjen e europianëve për shefin e qeverisë së Shqipërisë.
Artikulli i Kathimerini:
Vetoja greke
Paralajmërimi i Athinës se do të ushtrojë të drejtën e vetos për të penguar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian midis Brukselit dhe Tiranës, duket se nuk e ka trembur aspak kryeministrin shqiptar në hakmarrjen e tij ndaj Belerit. Rama, në fakt, duket se ka mbajtur një qëndrim sfidues ndaj nxitjeve evropiane për një rezolutë për këtë çështje, duke thënë: “Edhe nëse Këshilli Europian do të kthehej përmbys, ne nuk jemi të hapur për asnjë negociatë që bie ndesh me interesin strategjik të Shqipërisë, që është zbatimi i reformës në drejtësi dhe ruajtja e pavarësisë së institucioneve të saj të drejtësisë.”
Intransigjenca e tij është forcuar më tej nga referenca e kancelarit gjerman Olaf Scholz se çështja është një “mosmarrëveshje dypalëshe” dhe që nuk lidhet me kërkesat e BE-së në lidhje me sundimin e ligjit në procesin e anëtarësimit. Por nga buron gjithë kjo dashuri për Ramën? Pse evropianët dhe amerikanët janë të gatshëm ta hedhin Greqinë nën rrota kur ajo është aleati i tyre më i rëndësishëm dhe më i besueshëm në Evropën Juglindore?
Kryeministri shqiptar duket se ka bërë një punë të mirë duke i bindur se kjo është një çështje dypalëshe, një çështje e thjeshtë penale që i takon vetëm sistemit të drejtësisë së vendit dhe se ky sistem drejtësie është padiskutim i pavarur. Ai nuk humbet asnjëherë rastin, kur komenton çështjen Beleri, t’u kujtojë evropianëve se prokuroria, gjykatat dhe policia shqiptare aspirojnë standardet e vendosura nga Europa dhe se ai nuk ka të drejtë të ndërhyjë.
Tabloja e madhe
Përtej “tablosë së vogël” lidhur me çështjen ndaj Belerit, megjithatë, ekziston një “tablo e madhe” në të cilën Rama shihet si bashkëbiseduesi i favorizuar i BE-së dhe SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri dinak vazhdon ta projektojë veten si lideri që mund të garantojë stabilitetin e brendshëm politik dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë. Kryesisht, megjithatë, ai e paraqet veten si një politikan me ndikim, e me cilësitë drejtuese të nevojshme për të kontrolluar zhvillimet e rrezikshme në Kosovën e trazuar, sipas dëshirës së Perëndimit, dhe, në përgjithësi, me aftësinë për të manipuluar tendencat secesioniste në mesin e 7 milionë shqiptarëve etnikë që jetojnë në Ballkan.
Të gjithë e kuptojnë se pa Tiranën dhe Beogradin, pra pa Ramën dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ka pak shpresa për përmirësim të situatës në Kosovë. Mund të mos e thotë me zë të lartë, por Perëndimi sheh te Rama edhe një kryeministër pro-evropian, i cili pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, po e mbron Shqipërinë nga islamizimi dhe nga shndërrimi i saj në urën e Turqisë për në detin Adriatik. Në fund të fundit, ai ka treguar se do të bëjë atë që i kërkohet. Të tilla si, për shembull, pranimi i skemës së kryeministres italiane Giorgia Meloni që Shqipëria të presë disa mijëra emigrantë dhe refugjatë që përpiqen të arrijnë në Evropë nga Afrika.