Mbyllet nëntori kuq e zi duke i lënë rrugë festave të dhjetorit, ku përgatitjet tanimë janë drejt fundit dhe pritet vetëm ndezja e dritave që kryeqyteti të përfshihet i tëri në atmosferën festive plot ngjyra, që do të zgjasë përgjatë gjithë muajit.
“Do të ketë koncerte artistike, festa të ndryshme në lokale të jetës se natës, do të ketë angazhime për fëmijët në të gjithë rrethinat e Tiranës, jo vetëm në kryeqytet, duke çuar një Christmas Market në çdo njësi administrative, me lodra me animacione, me dhurata për të qëndruar sa më afër në këto ditë festash me të gjithë grupmoshat dhe me të gjithë shtresat”, shpjegon Mirela Kocollari, drejtoreshë e promovimit të qytetit.
Aktivitetet festive janë dhe një mënyrë e mirë për të tërhequr edhe më shumë turistë në vendin tonë, në këtë vit që ka provuar të jetë një sukses sa i përket shtimit të vizitorëve të huaj.
“Promovimi fantastik, linjat e reja ajrore që janë hapur, lidhja e mirë me destinacionet, çmimet ekonomike por edhe eventet dhe të gjitha këto gjërat që ndodhin në Tiranë kanë qenë si një karrem qe i ka shtyrë edhe më shumë turistët e rinj një ditë më shumë, të vijnë një fundjavë dhe të kalojnë në një atmosferë kaq fantastike, ditë më shumë në Tiranë. Kështu që ne presim patjetër përsëri edhe në muajin dhjetor edhe pse mund te jetë pak ftohtë, që të kemi turistë”, thotë Kocollari.
E natyrisht ardhja e më shumë turistëve është pozitive jo vetëm për promovimin e vendit por ndikon dhe në rritjen ekonomike të qytetit.
“Do të konsumojnë një drekë një darkë, do blejnë një dhuratë për të afërmit, do flenë një një hotel, kështu që të gjitha këto janë ne të mirë të ekonomisë së vendit, rritet numri i vendeve të punës sepse nevoja për shërbimet , për përmirësimin e shërbimeve edhe është rritur dhe është më e madhe kështu që e gjitha është një zinxhir qe sjell dhe një rritje ekonomike dhe zhvillim”, shton Kocollari.
Më datë 24 do të jetë koncerti i Krishtlindjeve dhe më pas në çdo mbrëmje deri më 31 dhjetor, do të ketë koncerte me artistë të ndryshëm. Ndërsa gjatë ditës, në sheshin Skënderbej, aty ku do të jetë edhe fshati i Krishtlindjeve, do të ketë aktivitete për të gjitha grupmoshat.