Ish-portieri i famshëm i Interit dhe Italisë, Gianluca Pagliuca i del në mbrojtje Gianuligi Donnarummas. Gardiani italian i Paris Saint-Germain është kritikuar sërish nga shtypi dhe vuan presionin e komenteve jashtë fushe. Për Pagliucan, këto kritika dhe komente ndaj Donnarummas janë të padrejta ndërsa shtoi se media ka për qëllim të denigrojë figurën e 24-vjeçarit. Sipas Pagliucas, e kundërta ndodh me Mike Maignan që edhe pse gabon sërish mbrohet nga media.

“Donnarumma është një portier i madh, viktimë e një fushate denigruese nga mediat. Sidoms nga ato milaneze, janë duke e masakruar sepse mendojnë se po e bëjnë të paguajë për transferimin te PSG. Këto janë idiotësira, Donnarumma është vetëm 24-vjeç dhe në këtë moshë pasiguritë falen. Po flasim për një portier me cilësi të jashtëzakonshme. Dua të nis një fushatë; Shpëtoni “ushtarin” Donnarumma.

Maignan? Po bën më pak mirë nëse e krahasojmë me vitin e tij të parë, por ai është i mbrojtur nga mediat. Portieri kthehet në një shënjestër sa herë gabon, ky është fati i këtij roli”, u shpreh Pagliuca.