Partizani harron të fitojë në Kategorinë Superiore, duke u ndalur përsëri në barazim, i gjashti radhazi. Të kuqtë nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në transfertën e Kukësit, duke dëshmuar edhe njëherë tjetër se e kanë të vështirë për t’u rikthyer te fitorja dhe të të tentuar vendin e parë, edhe pse kanë 12 ndeshje rresht që nuk mposhten.

Një pikë që mban kampionët në fuqi në vendin e dytë, ndërsa duket se vlen më shumë për verilindorët në luftën për mbijetesë, që për momentin i ikin zonës së ftohtë të klasifikimit.

Pas një pjese të parë pa gola, në temperaturën gati zero gradë dhe në një terren jo të mirë, në të dytën të dyja skuadrat dhanë maksimumin për të marrë tri pikët. Vendasit ishin më kërkues dhe në minutën e 79-të Beshiraj nuk fal pak metra larg portës.

Por vetëm një minutë më pas Mensah barazon për miqtë, duke e ndezur edhe më shumë takimin. Minutat e mbetura janë shumë të luftuara, ku të dyja skuadrat tentuan fitoren.

Në sekondat e fundit akordohet penallti me VAR për Partizanin. Ka tension në fushë, teksa hyjnë edhe tifozët. U deshën mbi 5 minuta të ekzekutohej penalltia, por Murataj godet traversën dhe sfida mbyllet 1-1.