Nga Mero Baze
Gjashtë votat për heqjen e imunitetit të Sali Berishës që I hapin rrugë masës së arrestit ndaj tij nuk janë ndonjë goditje e rënd për Sali Berishën. Kur nuk e ke shumicën parlamentare ai është një vendim që pritet.
Sali Berisha është një pakicë thuajse e përjetshme në këtë vend që ka sunduar për 33 vjet, përmes manovrave të rrugës dhe imunitetit që i jep vetes për mes dhunës në rrugë. Natyrisht duke përdorur dhe ndarjet apo komplekset që ka e majta për të.
Ndaj sot nuk është ndonjë dramë e madhe autorizimi i Komisionit të Mandateve për t’iu hequr imuniteti juridik që ai ka si deputet përballë akuzave të SPAK.
I rënd dhe I papërballueshëm për të është heqja e imunitetit politik para zyrave të Kuvendit. Edhe pse ka një jav që punon të organizojë një protestë “që Edi Rama të gjej vrimë ku të futet”, ai në fakt nuk bëri dot as 10 vetë mes shtëpisë së Mehmet Shehut dhe zyrës së Enver Hoxhës, që të protestonin kundër arrestimit të tij. Dhe tani duhet të gjej një qeli ku do futet.
Dhe kjo ishte një ditë e pamëshirshme për të.
Për fatin e tij të keq ishte një nga ditët më të bukura me diell të Dhjetorit, ku njerëzit mund të dilnin dhe për qejf në rrugë, por ja që nuk dolën për shkak të tij. Të paktën të kishte rënë shi që të thoshte nuk erdhën prej kohës.
Ishte po ashtu një miting I paralajmëruar prej një jave, si miting për të mbrojtur Sali Berishën. Madje qysh në mëngjes vajza e tij “kishte hasur një shprehje” (a thua shprehjet hasen si vrapuesit nga Liqeni) dhe kjo shprehja I kujtonte popullit se Sali Berisha duhej mbrojtur, se ashtu mbronin veten.
Por me sa duket nga mëria e madhe me Sali Berishën njerëzit janë gati të mos mbrojnë më as veten. Nuk erdhën.
Akoma dhe më keq u përpoq ta bënte si betejë politike, duke e kthyer në një çështje të gjithë opozitës. Në fakt dhe këtu e lanë vetë.
Partia Demokratike ngriti kartonin kundër tij. Dhe kjo do bahet shënim si një fat që I ra Enkelejd Alibej.
Deputetët e tjerë që nuk janë “As me Bashën as me Beun”, nuk I shkuan në protestë, por panë punët e tyre. U mjaftuan me një firmë për ta ankimuar në Gjykatë Kushtetuese.
Aleatet e tjerë e ndoqën nga kafenetë e Tiranës.
Beteja e tij politike përballë zyrave të Kuvendit ishte beteja më e mjerë politike e jetës së tij, pa aleatë, pa opozitarë dhe pa asnjë motiv politik, por tërësisht personal. E lanë vetëm me vajzën e tij.
Kjo ditë i hoqi Sali Berishës dy imunitete. Atë juridik me gjashtë vota kundër dhe atë politik me 600 mijë mbështetës të tij që e braktisën.
Ky imuniteti I dytë, kjo përpjekja e tij për ta shantazhuar drejtësinë dhe shtetin ligjor në rrugë, kjo sjellja e tij prej cubi politik, në fakt ka qenë imuniteti I vetëm I tij këto 33 vjet. Sot ky imunitet i ra.
Në krah të tij ishte vetëm vajza e 17 kullave, me “100 petrita”, të cilët i ngjasonin pjesëmarrësve në funeralin e tij politik. Kaq do ti ketë dhe kur të vdes.