Televizioni shtetëror i Koresë së Veriut transmetoi sot pamjet e lëshimit të raketës Hwasong-18 ICBM. Vendi i izoluar tha se lëshimi provë u krye të hënën e 18 dhjetorit, për të vlerësuar gatishmërinë luftarake të forcës së tij bërthamore kundër armiqësisë në rritje të SHBA-së, ndërsa Uashingtoni dhe aleatët e tij filluan të operojnë një sistem të shkëmbimit të të dhënave të raketave në kohë reale.
Media shtetërore e Koresë së Veriut tha se lideri Kim Jong Un pa të hënën lëshimin e raketës balistike ndërkontinentale Hwasong-18 (ICBM) në një vend në lindje të kryeqytetit, Phenian. Raketa arriti një lartësi prej 6518 km, duke fluturuar 1002 km dhe duke goditur me saktësi objektivin e synuar, një pjesë të zbrazët të detit, tha media shtetërore.
Koreja e Jugut dhe Japonia thanë se bazuar në të dhënat e fluturimit të së hënës, Veriu kishte gjuajtur një ICBM me rreze për të goditur kudo në Shtetet e Bashkuara. Nisja u dënua nga Koreja e Jugut, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, si një shkelje flagrante e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.