Ylber Ramadani është rikthimi i madh i Lecces për takimin e së dielës përballë Bolognas në “Via del Mare”.
Mesfushori i kombëtares shqiptare, humbi sfidën me Veronën (2-2) për arsye pezullimi, teksa kundër skuadrës së Thiago Mottas, që ndodhet në formë fantastike, është gati të zbresë në fushë.
Me misionin për të ndihmuar Leçen në marrjen e pikëve, aq të rëndësishme për objektivin mbijetesë. 27-vjeçari foli sot në prononcimin për shtypin, ku shprehu edhe dëshirën e tij në lidhje me shortin e Euro 2024.
“E pashë në shtëpi ndeshjen me Veronën. Loja do të kishte shkuar ndryshe nëse do të mbyllnim ndeshjen në pjesën e parë, por një pikë është më mirë se asgjë. Çdo ditë ne punojmë për të bërë më mirë. Të dielën na pret një ndeshje e vështirë, në të cilën duhet të marrim pike. Atmosfera është gjithmonë pozitive te Leçe. Ne jemi gjithmonë të bashkuar, jemi një grup shumë kompakt. Nuk shohim se kush luan dhe kush jo, ne zbresim në fushë për të fituar. Kjo është e rëndësishme”- tha Ramadani.
I pyetur se kë skuadër do të donte ti binte në grup gjatë shortit për Euro 2024, Ramadani shprehet se: “Do të më pëlqente një grup ku bëjnë pjesë Italia, Gjermania, Shqipëria dhe Zvicra. Por të shohim se çfarë do të na rezervojë shorti nesër.
Është kualifikimi i dytë në historinë tonë, një mundësi e madhe. Kemi një ekip vërtet të fortë, 7-8 lojtarë luajnë në Serie A. Është një ëndërr për mua, që i vogël e kam dashur këtë gjë.”
Shorti i fazës së grupeve në Euro Gjermani 2024 do t vijë live në SuperSport 1 prej orës 18:00 të së shtunës.