Momenti i së vërtetës. Të shtunën në orën 18:00 do të përvijohet faza e grupeve të Euro 2024. Në ambientet e Filarmonisë së Elbës në Hamburg do të hidhet shorti i grupeve të Kampionatit të ardhshëm Evropian, në të cilin do të thirret dhe Shqipëria për të mësuar kundërshtarët e saj.
Skuadrat janë të vendosura në katër vazo në bazë të rezultateve të marra në fazën kualifikuese. Shqipëria bën pjesë në vazon e dytë. Tre fituesit e play-off-it do të jenë në vazon e katërt dhe emrat e tyre do të mësohen vetëm në mars.
Për të besuarit e trajnerit Silvinjo përballja me emra të mëdhenj është e pashmangshme. Ndërsa në vazon e parë janë “peshat e rënda”, në vazon 3 ka emra si Holanda apo Kroacia, ndërsa në vazon 4 ndodhet Italia, pa harruar Zvicrën apo Serbinë.
Vazo 1: Gjermania (vend pritës), Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika, Anglia.
Vazo 2: Hungaria, Turqia, Danimarka, Shqipëria, Rumania, Austria.
Vazo 3: Holanda, Skocia, Sllovenia, Sllovakia, Çekia, Kroacia.
Vazo 4: Italia, Serbia, Zvicra, fituesi A, fituesi B, fituesi C.